E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeprokurorja Ina Rama kundërshtoi sot dy nene të projektligjit për “Prokurorinë”

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama kontestoi të premten dy pika të p/ligjit "Për Prokurorinë", që lidhen me mbrojtjen nga procesi penal të prokurorëve dhe kontrollet e Ministrisë së Drejtësisë në sistemin e organit të akuzës.   

E ftuar në komisionin e Ligjeve për të dhënë mendim për draftin në fjalë, kryeprokurorja Rama tha se "shfuqizimi i nenit 36 të ligjit aktual për 'mbrojtjen penale' bëhet në mënyrë të panevojshme. Kjo do të  krijojë një impakt negativ në punën e prokurorëve. Shfuqizimi i kësaj dispozite mendoj se i përball prokurorët me abuzivitetin e mundshëm të rrugës, kur ata janë në krye të ushtrimit të funksioneve të tyre Kushtetuese, të cilat, për hir të së vërtetës nuk janë funksione që ushtrohen nga të gjithë zyrtarët e këtij shteti, por funksione që lidhen me ndjekjen penale të kontigjentit kriminal të shoqërisë shqiptare". 

Raportimi në Kuvend i Ministrit të Drejtësisë për inspektimet në organin e akuzës, është çështja tjetër e kontestuar nga Prokurorja e Përgjithshme. "Ky raportim do të shndërrohet në një mënyre për të involvuar Prokurorin e Përgjithshëm në një debat politik, publik dhe të panevojshëm, që në thelb cënon dhe prek pavarësinë e organit të akuzës", tha ajo. 

Sipas znj. Rama "normalisht, çdo institucion i vënë në këtë lloj kontrolli do të pranonte që do të ishte shumë më mirë që të ruante një raport shumë të mirë me Qeverinë dhe ta kishte gjithmonë në konsideratë këtë gjë, përpara se të merrte çdo hap në punën e tij. Dhe më duket se këtu dalim jashtë parimit kushtetues që kemi pranuar të zgjedhim, që Prokuroria është një institucion i pavarur, që funksion pranë sistemit gjyqësor dhe puna e të cilit kontrollohet prej këtij sistemi", komentoi kryeprokurorja Rama një pikë të p/ligjit "Për prokurorinë".    

Komisioni i Ligjeve miratoi sot me konsensusin e të dy palëve këtë projekt të propozuar nga qeveria, i cili synon reformimin e organit të akuzës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›