E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Shëndetësisë vijon me nismat e saj në luftën kundër HIV/AID

Gjatë vitit 2008 qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë morën një sërë masash për parandalimin e përhapjes së infeksionit HIV/AIDS në vend. 

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë këtij viti është miratuar Ligji i ri për HIV/AIDS dhe është rishikuar Strategjia Kombëtare e HIV/AIDS (2008 – 2014), e cila do të miratohet dhe lançohet së shpejti. MSH synon të përfshijë në këtë Strategji mënyrat e reja parandaluese për transmetimin vertikal të infeksionit HIV. 

Sipas MSH, "Shqipëria mendon të implementojë shumë shpejt masat për parandalimin e transmetimit vertikal të infeksionit, testimin e grave shtatzana, pasi falë ndërhyrjeve me medikamente, bëhet i mundur parandalimi i transmetimit tek fëmijët". Të dhënat tregojnë se nga 17, që është numri i fëmijëve të prekur nga infeksioni HIV në Shqipëri, 12 prej tyre janë infektuar nëpërmjet transmetimit nga nëna te femija dhe 5 nëpërmjet gjakut. 

MSH e sheh hartimin e këtij ligji dhe rishikimin e Strategjisë Kombëtare si fillimin e një procesi, i cili po shoqërohet me masa të tjera shumëplanëshe apo politika të caktuara, që përfshijnë angazhimin e strukturave vendimmarrëse, si dhe të gjitha niveleve shoqërore, qeveritare dhe joqeveritare. 

Janë ngritur dhe po fuqizohen më tej Qendrat e Këshillimit dhe Testimit Vullnetar Konfidencial, si porta e parë e parandalimit dhe kujdesit, pothuaj në të gjitha Prefekturat e vendit. Kjo bën të mundur ofrimin e shërbimeve të testimit dhe këshillimit për HIV dhe infeksioneve të tjera, që transmetohen me rrugë seksuale, sa më pranë njerëzve. Gjithashtu, po fuqizohet më tej Klinika Ambulatore për trajtimin, ndjekjen dhe kujdesin ndaj Personave që jetojnë me HIV/AIDS, pranë Klinikës së Sëmundjeve Infektive në QSUT dhe 100 % e personave që jetojnë me HIV/AIDS në nevojë për trajtim me antiretroviral (ARV) e marrin atë. Janë 98 adultë dhe 12 fëmijë, që trajtohen aktualisht me ARV, i cili jepet falas qysh prej vitit 2004 nga shteti. 

MSH pohon se janë zgjeruar programet që synojnë parandalimin e HIV/AIDS tek grupet vulnerabël të riskut. Ndërkohë, vazhdon bashkëpunimi i suksesshëm me Fondin Global në luftën kundër HIV/AIDS, Tuberkulozit dhe Malarjes, ku ky fond është një mekanizëm financiar i rëndësishëm për të mbështetur politikat, programet dhe aktivitetet në fushën e HIV/AIDS. "Mbështetja e vendit tonë nga Fondi Global do të rrisë më tej përgjigjen mbarëkombëtare për ta mbajtur Shqipërinë një vend me prevalencë të ulët për HIV/AIDS", vlerëson MSH.      

Risi konsiderohet në këtë drejtim zgjerimi dhe forcimi i bashkëpunimit me shoqërinë civile, ku OJF janë partnere reale në parandalimin e përhapjes së infeksionit në grupet me risk të lartë, informimin, ndërgjegjësimin dhe edukimin e rinisë dhe popullatës në përgjithësi. 

Ligji për HIV/AIDS 

Ligji "Për Kontrollin e HIV/ AIDS-it" , i miratuar në maj të këtij viti, në ndryshim nga ai i vitit 2000, përforcon dhe detajon mënyrat për parandalimin e sëmundjes infektive të HIV/AIDS-it në vendin tonë, nëpërmjet një angazhimi politik, programeve publike dhe një strukture ligjore të detajuar.

Ligji synon të fuqizojë masat parandaluese në popullatën e përgjithshme, shtresat vulnerabël dhe në grupet, të cilat adoptojnë sjellje me risk të lartë, të mbështesë personat e infektuar dhe të evitojë çdo veprim diskriminues ndaj tyre, si dhe të mbështesë ata me shërbime të tjera shëndetësore. Ojektivat specifikë fokusohen në iniciativat e parashikuara në fushën e shëndetit publik dhe konkretisht semundjet ngjitese dhe transfuzionin dhe sigurinë e gjakut. 

Përgatitja dhe vënia në zbatim e akteve ligjore dhe nënligjore në vend është bërë vazhdimisht në përshtatje me situatën epidemiologjike te HIV/AIDS, si dhe me zhvillimin ekonomiko-social të vendit. Udhëzimet e përgatitura para viteve '90, gradualisht u plotësuan dhe u ripunuan, duke iu përgjigjur më mirë kohës. 

Zbatimi në praktikë i ligjit "Për parandalimin e përhapjes së infeksionit HIV/AIDS" i vitit 2000, si dhe përvoja e këtyre viteve, solli si domosdoshmëri rishikimin e këtij ligji. 

HIV/AIDS në Shqipëri

Shqipëria vazhdon të mbetet vend me prevalencë të ulët, në shifra nën 0.1 %. "Megjithatë trendi i rasteve të reja është konsistent mbi 30 raste dhe këtë vit kemi mbi 35 raste të reja, që është një tregues që vazhdon të ketë përhapje të infeksionit, por jo në shifra shumë të larta", konsideron MSH. Indikatorët e studimit tregojnë që risqet ekzistojnë, ndaj MSH nënvizon se duhet të jemi të vëmendshëm në masat parandaluese, sidomos për ato që i konsiderojmë grupe në risk, grupe që paraqesin, për arsye të kushteve sociale ekonomike apo mënyrës së tyre të jetesës, sjellje të rrezikshme dhe rreziqe për përhapjen e infeksionit. Numri total i rasteve me HIV/AIDS në vendin tonë, deri në nëntor 2008, është 291, nga të cilët  35 janë zbuluar  gjatë këtij viti (15 prej tyre janë femra). Të dhënat tregojnë se meshkujt vazhdojnë të përbëjnë numrin më të madh të rasteve, me 69 % (202 raste) të tyre, ndërkohë që vërehet një rritje e numrit të femrave HIV pozitiv 31 % (89 raste) të totalit.Transmetimi seksual dominon në mënyrën e transmetimit të infeksionit HIV, me 90.4 % të rasteve (81.4% heteroseksualë dhe 9% homo-biseksualë). Në 3.8 % të rasteve, infeksioni është transmetuar nëpërmjet gjakut, 4.5 % nga nëna te fëmija dhe 1 % tek përdoruesit e drogave me injektim (PDI). Numri më i madh i rasteve i përkasin grupmoshave 25-34 vjeç dhe 35-44 vjeç, respektivisht me 71  dhe 94 raste. Që prej vitit 1993, kur u zbulua rasti i parë me HIV, 99 persona kanë shfaqur AIDS dhe 56 prej tyre kanë vdekur.       

Epidemia botërore e HIV/AIDS

HIV vazhdon të mbetet një problem global me përmasa të pazakonta. I panjohur 27 vjet më parë, HIV deri më sot ka shkaktuar vdekjen e 25 milion personave në të gjithë botën dhe ka sjellë ndryshime të thella demografike në vendet më shumë të prekura.Të dhënat më të fundit epidemiologjike përmbajnë dhe lajme të mira dhe inkurajuese, pasi në disa vende në Azi, Amerikën Latine dhe Afrikën sub-sahariane numri vjetor i infeksioneve të reja HIV është në rënie. Përqindja e vlerësuar e vdekjeve nga AIDS gjithashtu ka pësuar rënie, kjo dhe për arsye të rritjes së aksesit ndaj mjekimit me antiretrovirale në vendet me burime të kufizuara. Por, ende këto tendenca pozitive nuk janë evidente në të gjitha vendet. Të dhënat tregojnë se në të gjithë botën jetojnë rreth 33 milionë persona me HIV/AIDS . Numri i infeksioneve të reja ka pësuar një rënie nga 3 milion në vitin 2001, në 2.7 milion në vitin 2007. Në vitin 2007, numri i vdekjeve nga AIDS ishte 2 milion, nga të cilët 1.8 milion të rritur dhe 270 mijë fëmijë nën 15 vjeç. Vitin e kaluar, 370 mijë femijë më të vegjël se 15 vjeç u infektuan, ndërsa numri i tyre në të gjithë botën është rritur nga 1.6 milion në 2001 në 2 milion në 2007 (90 % në Afrikë). Afrika vazhdon të mbetet rajoni më i prekur. Të dhënat tregojnë se 67% e të gjithë personave me HIV/AIDS jetojnë në Afrikën sub-Sahariane. Gratë përbëjnë gjysmën e personave që jetojnë me HIV/AIDS. Në 10 vitet e fundit përqindja e grave ka mbetur e qëndrueshme në nivel botëror, por është rritur në shumë rajone. Të rinjtë 15-24 vjeç përbëjnë 45 % të rasteve të reja me infeksionin HIV.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›