Ministri i Drejtësisë, Alibeaj: Projekligji për organin e akuzës synon reformimin e saj

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj deklaroi të premten në komisionin e Ligjeve se drafti "Për Prokurorinë", synon reformimin e institucionit të organit të akuzës.
"Reformimi i Prokurorisë ka filluar edhe më parë, pasi veprimtaria e organit të akuzës ka qënë gjithmonë një sensibilitet, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë social, madje dhe juridik. Por tashmë janë identifikuar më shumë se dhjetë çështje, në të cilat do të duhej të ndërhyhej në ligjin bazë. Trajtimi i këtyre çështjeve bazohet mbi të gjitha në atë çfarë parashikon Kushtetuta, që është përcaktimi i Prokurorisë si institucion, i cili në mënyrë ekskluzive ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq. Në këtë p/ligj janë reflektuar në masën më të mirë të mundshme dhe ndryshimet e fundit kushtetuese", vërejti ministri i Drejtësisë, duke mbrojtur draftin e qeverisë në komisionin parlamentar.
Ai u ndal në disa nga çështjet më të rëndësishme të përfshira në projektin ligjor si rregullimi i përcaktimit të organeve të Prokurorisë dhe përfaqësimin e saj; hierarkia e brendshme, brenda strukturës së centralizuar në Prokurori, kufizimet e pushtetit më të lartë dhe drejtimi i Prokurorisë. Të gjithë këto elementë sipas tij "jo vetëm plotësojnë boshllëkun e krijuar në aspektin e përgjithshëm të punës dhe përcaktimit të organizimit të Prokurorisë, por janë dhe përcaktime që gjenden në disa ligje evropiane".
Neni 18-të i p/ligjit, i kontestuar dhe nga drejtues të organit të akuzës, shfuqizon nenin 36 të ligjit bazë, i cili i siguron prokurorit 'mbrojtjen nga procesi penal'.
Duke mbrojtur këtë pikë të draftit, ministri tha se "një formulim i tillë është në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese. Sipas një drejtësie të konsoliduar tashmë nga Gjykata Kushtetuese imuniteti për një kategori zyrtarësh është i parashikuar në Kushtetutë dhe për pasojë ligji as nuk mund të heqë dhe as nuk mund të shtojë kategori të tjera me imunitet. Në frymën më të fundit politike dhe sociale ndërhyrja në ligjin aktual përcakton qartë konceptin e mbrojtjes penale të prokurorëve. Mbrojtja e vetme që do t'u jepet prokurorëve është zbatimi koherent, i saktë dhe me devotshmëri i ligjit".
Një pikë tjetër e debatuar e p/ligjit (neni 28) lidhet me zbërthimin e hollësishëm të raporteve mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas ndryshimit, ministri i Drejtësisë paraqet të paktën një herë në vit në Kuvend raportin me shkrim për inspektimet e kryera nga kjo Ministri duke vënë në dijeni për këtë dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Sipas p/ligjit edhe kryeprokurori ka të drejtë të paraqesë në Kuvend mendimin e tij për raportin.
Në bazë të rezultateve të inspektimeve, ministri i Drejtësisë, kur është rasti, i paraqet rekomandim për marrjen e masave disiplinore Prokurorit të Përgjithshëm. Ky i fundit shqyrton rekomandimin dhe vendos lidhur me të. Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigjja e Prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës.
Projekti është hartuar me asistencën e misioneve ndërkombëtare në Tiranë, EURALIUS dhe OPDAT.
...