Kryeprokurorja: Nuk kemi fshehur asnjë dokument për Gërdecin
Prokurorja e Përgjithshme ka reaguar pas deklaratave të djeshme nga kryetarja e Parlamentit shqiptar Jozefina Topalli të bërë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve. “Unë do ju vë në dispozicion 8 volume me shkresa dhe dokumentacione, pjesa më e madhe e të cilave nuk ka ardhur nga prokuroria. Nuk i ka sjellë prokuroria për t’i vënë në dispozicion të Parlamentit, pra i janë i fshehur Parlamentit”,- u shpreh Topalli gjatë mbledhjes së Këshillit të Imuniteteve.
“Nuk është fshehur asnjë dokument”– ka bërë të ditur Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, në komunikatën për shtyp në lidhje me çështjen e imuniteti të Fatmir Mediu. Nënjoftimin e Zyrës së Shtypit të Prokurorisë së Përgjithshme thuhet se në lidhje me hetimin e çështjes së Gërdecit, janë arritur të administrohen një sërë dokumentash. Prokuroria i kërkon Kuvendit që të japë autorizimin për t’i hapur rrugë procedimit për hetimin e ish-ministrit të Mbrojtjes dhe deputetit Fatmir Mediu. Reagimi i Prokurorisë vjen një ditë pas deklarimit në Këshillin e Mandateve se i janë fshehur dokumenta që lidhen me kërkesën për heqjen e imunitetit të Mediut.
‘I kemi dhënë Komisionit të Mandateve të gjitha aktet dhe të dhënat janë të mjaftushme për të arritur në konkluzione. Prokuroria është e gatshme për çdo kërkesë të Kuvendit”-thuhet në komunikatë.
Ndersa Mediu nuk tha asgjë të re dje, as kur i vuri kapakun fjalës së tij, duke e cilësuar kërkesën e Prokurorisë si tendencioze dhe të njëanshme nga ana e kryeprokurores Ina Rama. “Në gjykimin e tim, kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetin dhe procedim penal ndaj meje, të bën të dyshosh me baza se është tendencioze dhe jo e trajtuar me baza jo profesionale”,- u shpreh Mediu në fjalën e vet.