E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeqendra e festimeve të 100 vjetorit do të jenë në kryeqendrën e shqiptarëve – shpifjet për anashkalimin e Vlorës, hoxhiste

30-10-2012 / Gazeta 55

Kryeministri zbulon axhendën e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, stacionet kryesore të së cilës do jenë Shkupi, Prishtina, Vlora dhe Tirana. “Deklarata e Pavarësisë së SHBA është firmosur në Philadelphia, por celebrimet kryesore të 4 korrikut kremtohen në Uashington”

Kryeministri Sali Berisha iu referua dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD, debateve për festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë. Kreu i qeverisë i quajti provinciale hoxhiste dhe trillime të opozitës, pretendimet se po anashkalohet qyteti i Vlorës nga festimet, pasi sipas tij, në këtë 100 vjetor nderohet Vlora dhe çdo pjesë e territoreve shqiptare. Kryeministri theksoi se Tirana do jetë kryeqendra e festimeve të 100 vjetorit, pasi Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë. “Meqë po flasim për 100 Vjetorin e Pavarësisë, unë mendoj se ky vit ka shënuar realizime serioze në këtë fushë. Në tërësi në një debat të shëndetshëm dhe të çmuar, por aty - këtu ka pasur edhe qëndrime të bazuara do të thosha në provincionalizma hoxhiste të të shkuarës dhe veçanërisht të pa ndershme dhe shumë naive, arkaike dhe provinciale, kanë qenë pretendimet se po përjashtohet Vlora nga protokolli shtetëror, apo po bëhen përpjekje për të errësuar figurën e Ismail Qemalit. Së pari dua të theksoj se, në këtë 100 vjetor, Vlora dhe çdo pjesë e territorit shqiptarë dhe trojeve shqiptare në tërësi dhe Vlora në veçanti, nderohen në shkallën më të lartë, sa më mirë dhe sa më me dinjitet, që këto festime, këto ngjarje të organizohen në mbarë trojet shqiptare në tërësi, por në mënyrë të veçantë në Tiranë, sepse Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë, është kryeqyteti  në të cilin dhe prej të cilit janë të drejtuar mendja dhe zemra e të gjithë shqiptarëve. Tirana, do të ketë sigurisht në çdo ngjarje kombëtare, cilado që të jetë ajo, do të ketë peshën më kryesore dhe vendin më kryesor”, u shpreh Berisha.
Ai solli në vëmendje se vendet si SHBA dhe Italia deklaratën e Pavarësisë e kanë nënshkruar në qytete të ndryshme, por festimet i kryejnë në kryeqendrën e shtetit.
“Por për ata, të cilët bëjnë një analizë skematike provinciale, më duhet t’ju rikujtoj se, deklarata e pavarësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës  është firmosur në bibliotekën e Filadelfias, atje ndodhet teksti, por të gjitha festimet e mëdha bëhen në Shtëpinë e Bardhë, bëhen në Capitoll Hills, bëhen në Uashington dhe ky është një realitet që nuk mund të jetë ndryshe. Italia mike pati 150 Vjetorin e Pavarësisë. Piemonte  ishte djepi,  festimet u bënë në Romë, ndaj dhe koncepte të tilla janë të pa pranueshme. Vlora nuk është përjashtuar, përkundrazi është përfshirë në mënyrë thelbësore në protokoll, asnjë lloj varianti nuk ka pasur që të përjashtohet Vlora, përkundrazi, është e përfshirë në mënyrën më të fuqishme në protokoll”, tha kryeministri.
Ai vuri në dukje se festimet fillojnë në Shkup me datën 25 nëntor, pasi Shkupi ishte epiqendra e të gjitha përpjekjeve shqiptare, kjo është e njohur. “Vazhdojnë në Prishtinë me inaugurimin e rrugës, nuk ka mënyrë më të shkëlqyer për të festuar këtë 100 vjetor, se inaugurimin e autostradës, Morinë-Prishtinë. Vazhdojnë në Vlorë dhe kthehen në drekë në datën 28 nëntor në Tiranë. Pra është bërë një program, mendoj unë, dinjitoz për 100 vjetorin, sepse ky 100 vjetor duhet të jemi të vetëdijshëm është kontribut i të gjitha trevave shqiptare, i kryengritjeve të mëdha të Kosovës, i përpjekjeve të mëdha të trevave të tjera. Ishte mençuri e madhe e Ismail Qemalit, në mençurinë dhe vizionin e tij, që zgjodhi Vlorën dhe kjo është një nga meritat e mëdha historike të tij, për të ngritur flamurin, sepse rrethanat ishin shumë kërcënuese. Sot një historian më sjell një dokument jashtëzakonisht interesant, më sjell deklaratën e pavarësisë, së firmosur nga Ismail Qemali në Durrës. Pse kjo deklaratë?! Ai po udhëtonte për në Vlorë, por e la këtë dokument, se po t’i bënin prita, po ta asgjësonin të kishte shpallur pavarësinë, sepse rruga për në Vlorë ishte plot rreziqe, por nuk u ndal, eci drejt Vlorës dhe atje e mblodhi asamblenë, por ai ishte maratonomaku  i pavarësisë, ai ishte themeluesi”, deklaroi ai.
Gjithashtu, Berisha tha se është në nderin e çdo shqiptari që shtatorja e Ismail Qemalit të ngrihet në kryeqytet. “E dyta se po e nënvlerësojmë figurën, këto janë deklarata të turpshme, primitive, njerëz që nuk kanë asnjë lloj sensi veçse primitivizmit të tyre. Përherë të parë pas 100 vitesh, përmendorja e tij po vendoset aty ku duhet të ishte vendosur, që me themelimin e Tiranës si kryeqytet, të vendoset në Tiranë dhe ky qenka nënvlerësimi që po i bëhet figurës së tij? Përkundrazi ky është vlerësimi i merituar që i bëhet figurës së tij, por nëse mendojnë se lartësimi qëndron vetëm duke injoruar figura të tjera, ky është koncept hoxhist, ne jemi ndarë nga ky koncept. Ne jemi shumë të privilegjuar që na jepet mundësia të vendosim shtatoren e tij në Tiranë, sikundër jemi të privilegjuar, që na jepet mundësia të vendosim shtatore të tjera. Asgjë nuk mund të zvogëlojë veprën e ndritur të tij, por në 100 vite nuk u vendos shtatorja e tij në kryeqytet. Ai ishte lider kombëtar, ai ishte themelues i shtetit, themeluesi i pavarësisë së vendit. Një gjë ju them këtyre që shohin se po nënvlerësojmë figurën e Ismail Qemalit, se ati i tyre shpirtëror, dy gjëra bëri, së pari deklaroi se një grup bejlerësh me në krye Ismail Qemalin, për interesa të tyre shpallën pavarësinë në Vlorë dhe u detyrua ta kapërdijë me turp një deklaratë të tillë antikombëtare dhe së dyti, djalin ia burgosi dhe familjen ia degdisi, vetëm e vetëm, se nuk duronte hijen dhe këtu vendosi shtatoren e tij, të Stalinit dhe Leninit”, theksoi Kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›