E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqytetasit kundër bashkisë: Të ndërpriten punimet në shesh

Shoqata e Inxhinierëve: Studimi i trafikut, jo transparent

Të gjithë në të njëjtin mendim, punimet e nisura nga Bashkia e Tiranës për rehabilitimin e sheshit Skënderbej të ndërpriten. Përfaqësues të shoqatës "Tirana", prefekti i Tiranës Keltis Kruja, urbanistë, arkitektë dhe banorë të vjetër të kryeqytetit, të mbledhur dje në një tryezë për të diskutuar rreth debatit për rindërtimin e sheshit kryesor të kryeqytetit, i kanë kërkuar kryebashkiakut Edi Rama që të dëgjohet edhe zëri i qytetarëve dhe të bëhet në mënyrë të menjëhershme ndërprerja e punimeve. Mbledhja Kryetari i shoqatës "Tirana", Arben Tafaj, kërkoi që palët e përfshira në debat, të ulen dhe të dëgjojnë zërin e vetë qytetarëve. Ai që nuk dëgjon, nuk qeveris, por sundon, por ky qytet nuk i duron sundimtarët, - deklaroi Tafaji. Ndërsa arkitekti Enver Faja deklaroi se projekti belg për sheshin nuk ka vlera artistike, madje heq disa pjesë të rëndësishme të planit francez. Ai e quajti atentat ndaj qytetit zbatimin e këtij projekti. Ndërkaq, kineasti Kujtim Çashku, banor i vjetër i kryeqytetit, kërkoi që tryeza të dalë me propozime konkrete për të ndaluar atë që po ndodh me sheshin "Skënderbej". Qytetarë autoktonë të kryeqytetit kanë deklaruar se rehabilitimi i sheshit zbeh identitetin historik dhe kulturor të qytetit dhe se para ndërhyrjes në këtë shesh duhej marrë mendimi i tyre. Inxhinierët Debatit pro dhe kundër rehabilitimit të sheshit Skënderbej i është bashkuar edhe Shoqata e Inxhinierëve Konsulentë. Përmes një deklarate për shtyp, inxhinierët kanë reaguar ashpër në lidhje me punimet që po kryhen në shesh, pasi, sipas tyre, deri tani asnjë person nuk është njohur me studimin e trafikut. Në deklaratë, thuhet se punimet e Bashkisë së Tiranës në sheshin kryesor janë të nxituara, pasi paraprakisht duhej të ishte zhvilluar studimi i trafikut. Por edhe në lidhje me këtë çështje inxhinierët ngrenë pikëpyetje, pasi, sipas atyre, asnjëri specialist ende nuk di të ketë një studim për trafikun, edhe në qoftë se ekziston, kryebashkiaku Rama duhej ta kishte prezantuar. Duhet bërë vlerësimi dhe studimi i trafikut nga një ekspertizë e huaj e specializuar. Kjo është e pashmangshme dhe e vetmja rrugë e drejtë racionale, - thuhet në deklaratën e Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë. Deri tani, - shpjegojnë inxhinierët, - zgjidhjet e dhëna nga studimet franceze apo belge janë vetëm studime të sheshit, por jo të plota. Ata shtojnë se n.q.s. kryebashkiaku Rama ka studim për trafikun, atëherë ai duhej të parashtrohet vetëm si modul i trafikut dhe respektivisht i rrugëve dhe puna duhej të fillojë pikërisht me këtë modul. Nëse hapja dhe mbyllja e rrugëve nuk është bërë në përputhje me këtë modul, çdo gjë na duket e pajustifikuar dhe që mund të ndëshkohet rëndë, në rast se do të implementohet, - shprehen inxhinierët. Ata i qëndrojnë fort idesë se pasi të jetë ezauruar studimi i trafikut, të merren dhe të analizohen studimet franceze e belge dhe nëse ato përkojnë me studimet e lëvizjes dhe të trafikut, të merret një vendim. Në rast të kundërt, - vijojnë inxhinierët, - ose ato të modifikohen, ose të bëhen studime krejt të reja. Por pavarësisht këtyre fakteve, bashkia vijon me punimet në shesh, madje kryetari i saj pak ditë më parë shpalli edhe fazën e dytë të tyre. Artan Lame Sheshi, i kthyer në teatër Punimet që po kryhen tashmë në sheshin "Skënderbej", janë kthyer në një debat të gjerë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, mes ish-drejtuesve të bashkisë, por dhe mes arkitektëve. Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Artan Lame, në një intervistë për median, cilëson projektin belg që po zbatohet në sheshin "Skënderbej", si të përkryer dhe që do të jetë në shërbim të komunitetit në Tiranë. "Projekti belg, pra ky që po zbatohet, e liron sheshin nga godinat që parashikonte projekti i mëparshëm dhe kjo është shumë e rëndësishme. Është sheshi më i rëndësishëm i Shqipërisë dhe çdo ndërhyrje ndërtuese në të ka shumë pasoja, - thotë Artan Lame, ish-nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Për sa u përket argumenteve nëse bashkia ka leje mjedisore për punimet apo duhet të marrë leje në KRRTRSH, pasi ky është një projekt i ri që po zbatohet, Lame përgjigjet: "Çështja e lejeve është teatri më i neveritshëm i mundshëm. Asnjë dokument nuk ka vlerë në Shqipëri sa vlejnë celularët e dy kryetarëve të partive përkatëse. Asnjë institucion nuk të jep përgjigje apo nuk të bllokon pa marrë urdhër në celular, kështu që nuk kanë vlerë letrat, po ka vlerë celulari. Nëse në celular ministrit i thuhet zhbllokoje, do ta zhbllokojë; nëse i thuhet bllokoje, do ta bllokojë. Të gjitha të tjerat janë teatër. Nikollë Lesi Rregullimi të jetë vendimmarrje e përbashkët Zëvendësministri i Turizmit, Nikollë Lesi, ka shprehur mendimin e tij edhe për debatet më të fundit mes ministrisë që ai përfaqëson dhe Bashkisë së Tiranës për ndërtimet në sheshin Skënderbej. Sipas Lesit, sheshi u përket të gjithë shqiptarëve dhe duhet të ketë një vendimmarrje të përbashkët të pushtetit qendror dhe atij lokal. Sheshi nuk i përket vetëm Edi Ramës dhe as vetëm Sali Berishës. Sheshi Skënderbej është historia e kombit, u përket të gjithëve, pra duhet një vendimmarrje e përbashkët, - u shpreh Lesi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›