E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeqyteti shtohet më një tjetër park artificial

28/12/2008  Zhvillohet mbledhja e fundit e KRRT-së për këtë vit, miratohet plani i ri rregullues i kryeqytetit

Miratohet projekti për transformimin e fushës së aviacionit në hapësirë të gjelbër

Një tjetër park në shërbim të kryeqytetasve. Mbledhja e fundit e KRRT-së së kryeqytetit për këtë vit është shoqëruar jo vetëm me aprovimin e planit të ri rregullues, por dhe me miratimin e projektit më të ri teknik, që do të mundësojë ngritjen e një tjetër parku përveç atij të Liqenit Artificial. Konkretisht është finalizuar transformimi i zonës së fushës së aviacionit në një park, ku përparësia kryesore do të jetë shtimi i sipërfaqes së gjelbër si dhe ngritja e një sërë këndesh argëtimi në shërbim të qytetarëve. Ky park do të jetë i dyti për nga madhësia pas atij të Liqenit Artificial si dhe në përshtatje me planin e ri të rregullimit të kryeqytetit.

Mbledhja

Përveç planit rregullues gjatë mbledhjes së djeshme është bërë prezantimi dhe miratimi i projektit teknik për parkun urban të ndodhur në zonën e ish-fushës së aviacionit, zonë e cila do të shndërrohet në shërbim të banorëve. “Bëhet fjalë për një park të ri të kryeqytetit, që vjen si rezultat i vizionit të planit të ri të Tiranës, por edhe si domosdoshmëri në funksion të rritjes së dimensionit të gjelbër të kryeqytetit. Kjo zonë është një territor shumë i favorshëm për t’u kthyer në një park në funksion të të gjithë atij komuniteti, por edhe në funksion të rritjes së përmasës së gjelbër të kryeqytetit, i cili pret këtë ndërhyrje”, - është shprehur Rama. Njëkohësisht projekti është konceptuar prej një kilometri të fushës së aviacionit, bazuar në konceptin e njehsimit për lëvizjen e lirë të njerëzve me praninë e shkollave dhe universiteteve në fqinjësi të ngushta.

Ndryshimet

Sipas kryebashkiakut, bëhet fjalë për një park që sjell një sasi të konsiderueshme metrash katrorë gjelbërim në kryeqytet, që përmban në vetvete një sërë hapësirash për të gjitha moshat dhe një sërë karakteristikash të reja, së bashku me një sasi të konsiderueshme pemësh të shëndetshme. Përkrah tyre do të ngrihen fushat e lojërave me dorë, pistat e vrapimit, këndet e lojërave për fëmijët, pa dyshim edhe kënde çlodhëse për më të moshuarit, së bashku me një hapësirë të gjerë këmbësorësh. “Besoj se kjo është një ndërhyrje që ka miratimin unanim të të gjithë banorëve e banoreve, jo vetëm të zonës, por edhe të kryeqytetit. Bëhet fjalë për një njollë të gjelbër në hartën e Tiranës prej rreth 1 km të gjatë, që është një bulevard i ri i gjelbër për kryeqytetin”, - ka përfunduar Rama.

Modulet për shtimin e sipërfaqes së gjelbër

Projekti teknik për transformimin e kësaj zone pasohet nga tri module të veçanta për shtimin e sipërfaqes së gjelbër. Konkretisht ngritja e sipërfaqes së gjelbër përbëhet nga modulet bazë, që specifikohen si room system ( sistemi dhomë), modul i cili e koncepton sipërfaqen e gjelbër në formën e dhomave, që do të ngrihen në të gjithë hapësirën e parkut. Pjesa e dytë përbëhet nga field sistem (gjelbërim horizontal formë bari), i cili ka shtrirje analoge me atë të dhomave me gjelbërim horizontal dhe pemë relativisht të ulëta dekorative, si dhe vertikal linear system (gjelbërim vertikal i vazhduar). Nëpërmjet këtij modeli synohet të dilet nga kornizat e dy tipave të mëparshëm për të thyer njëtrajtshmërinë e gjelbërimit në formë dhomash, duke krijuar grupet e pemëve solitare dhe të vetmuara. Ndërkohë që në brendësi të këtyre moduleve do të specifikohen edhe këndet e shumta të argëtimit, që do të jenë të ndara sipas moshave. Zbatimi dhe realizimi konkret i projekt të miratuar gjatë ditës djeshme parashikon që të nisë brenda një kohe të shkurtër, në harmoni dhe me planin e ri rregullues të kryeqytetit.

Miratimi

Mbledhja e djeshme e KRRT-së së kryeqytetit është shoqëruar me miratimin e dy projekteve shumë të rëndësishme: ai i planit rregullues dhe projekti teknik për shndërrimin e zonës së fushës së aviacionit në një park gjelbërimi në shërbim të banorëve, i cili do të jetë parku i dytë për nga madhësia.

Hapësira

Projekti bën fjalë për një njollë të gjelbër në hartën e Tiranës, prej rreth 1 km të gjatë, që do të kryejë funksionet e një bulevardi të gjelbër për kryeqytetin, veçanërisht për moshat e treta dhe fëmijët. Për këto kategori ky park do të ofrojë mundësi të shumta argëtimi larg zonave të tjera të ndotura që ka aktualisht kryeqyteti.

Plani rregullue

Plani i rregullues i kryeqytetit fillimisht do të nisë të zbatohet me ndërtimin e unazës së madhe, që do të shërbejë si pika kyçe për uljen e trafikut të rënduar dhe nivelit të lartë të ndotjes që shkakton në ambient. Më pas në mënyrë graduale do të nisë puna dhe në të gjitha njësitë bashkiake sipas ndryshimeve të përcaktuara.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›