E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët e reja të Vlorës “pagëzohen” me ata që ndritën kombin

26/12/2008  Figura nga koha e Skënderbeut e deri më sot

VLORE- Këshilli Bashkiak i Vlorës më datën 15 dhjetor të këtij viti në bazë dhe të urdhrit të ministrit të vendosi të emërojë 94 rrugë të reja në këtë qytet. Ky vendim që u bë i ligjshëm nga prefekti i qarkut Vlorë, zoti Hasan Halili, një javë mbas mbledhjes së këtij këshilli, ishte kthyer disa herë kur diskutohej për të si projekt. Nga shumë forca politike ka pasur debate, madje të ashpra jo vetëm për t’u futur emra që ia vlenin për rrugët e qytetit historik, por ato të ishin dhe gjithëpërfshirëse që nënkuptonte futjen e njerëzve me merita nga të gjitha forcat politike, në të gjitha kohërat, në të gjitha fushat dhe në të gjitha trojet tona etnike, deri sa u arrit bashkëpëlqimi. Ajo që të bie në sy në përzgjedhjen e emrave të rrugëve është fakti se aty janë emrat e atyre që kanë bërë histori dhe e kanë përmbushur detyrën karshi atdheut edhe pse janë të periudhave të kaluara. Nuk janë harruar emrat e kapedanëve që kanë luftuar që në fillimet e pushtimit turk si Gjergj Stresi, udhëheqësi i shquar himarjot që luftoi kundër pushtuesve osmanë. Është vendosur dhe emri i kapedanit Jani Kasneci nga Vunoi, 1735 – 1814, i shkolluar ne Padova të Italisë. Nga krahina e Dukatit u përzgjodhën emrat Mehmet Çiço (Petoshati), një nga gjeneralët e shkolluar në Akademinë Kapelan, njohës i shkëlqyer i disa gjuhëve të huaja që shërbeu në gardën e Ali Pashë Tepelenës si gjeneral dhe përkthyes dhe u vra bashkë me të nga pushtuesit turq në janar 1822. Një rrugë e Vlorës do të mbajë emrin e patriotit Hysni Lepenica (1900-1943), i cili u lind në Lepenicë të Vlorës dhe kreu shkollën e mesme në Tiranë. Ai mori pjesë në luftën e Vlorës në 1920 si dhe në proceset demokratike të viteve 1921-1924. Ndër emrat që do të mbajnë rrugët e Vlorës spikat dhe emri i Martin Camajt si dhe atyre të pushkatuar nga diktatura, por dhe të atyre që vdiqën në mërgim për shkak të saj. Këtu mund të përmendim intelektualin Abdyl Sharra (1915-1946) i lindur në Vlorë nga një familje që ishte mbështetëse e Pavarësisë Kombëtare, lëvizjeve demokratike dhe atdhetare në të gjitha kohërat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›