E Shtunë, 31 Tetor 2026

Norma bazë e interesit drejt rënies

28/12/2008  Autoriteti Mbikëqyrës do të marrë vendimet në muajt e ardhshëm

Guvernatori i BSH-së: Janë krijuar hapësira për manovrim në të ardhmen e afërt

Banka e Shqipërisë është duke shqyrtuar uljen e normës bazë të interesit. Sipas parashikimeve dhe analizës së treguesve, Autoriteti Mbikëqyrës bankar do të marrë vendimin brenda muajve të parë të vitit të ardhshëm. Vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë në fjalën e fundit përmbyllëse për këtë vit ka theksuar se tashmë ka më shumë hapësira për manovrim. “Zhvillimet dhe informacioni më i fundit sugjerojnë se balanca e rreziqeve për inflacionin në të ardhmen është e zhvendosur në kahun zbritës, duke krijuar hapësira për manovrim në të ardhmen e afërt”, është shprehur pak ditë më parë guvernatori Ardian Fullani.

Normat e interesit

Banka e Shqipërisë ka mbajtur të pandryshuar gjatë gjithë vitit 2008 normën bazë të interesit duke e lënë atë në nivelin 6,25 për qind. Të gjitha rritjet e kësaj norme janë bërë një vit më parë. Gjatë vitit 2007-s, Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit tre herë. Në prill të 2007-s norma bazë ishte 5,50 për qind, në qershor është rritur me 0,25 për qind, në shtator është rritur edhe me 0,25 për qind, duke kapur nivelin 6,00 për qind dhe që prej nëntorit 2007 norma bazë e interesit është fiksuar në 6,25 për qind. “Mbështetur në analizat më të fundit të zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, si dhe bazuar edhe në parashikimet e bëra për ecurinë e inflacionit në të dy vitet në vijim, dëshiroj të theksoj se ka një ankorim të mirë të pritjeve inflacioniste rreth objektivit numerik prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë”, është shprehur Fullani.

Kreditë

Ulja e normës bazë të interesit, sipas ekspertëve të Bankës ë Shqipërisë, është një nga mënyrat se si institucioni mbikëqyrës bankar operon me anën e politikave monetare. Ulja e normës bazë do të sillte një ulje të normave të interesit në tregun bankar, që do të thotë se edhe bankat e nivelit të dytë që kryejnë aktualisht veprimtarinë e tyre në Shqipëri do të kenë më shumë mundësi kreditimi për individët dhe për ekonominë. Mbajtja në norma të larta interesi deri më tani e ka ngushtuar dhënien e kredive për individët, raport që mund të ndryshojë në të ardhmen.

Depozitat

Në kah të kundërt vepron ndryshimi i normës bazë të interesit me depozitat e qytetarëve. Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë nëse normat e interesit janë shumë të larta njerëzit janë të prirur që të depozitojnë më shumë. Që do të thotë se ata marrin më shumë përfitime nga interesat dhe nuk i qarkullojnë paratë e tyre. Me uljen e normës bazë të interesit, rriten shanset për rritjen e kredidhënies në bankat e nivelit të dytë. Por depozitat e qytetarëve do të ecin në kahun e kundërt, pra atë rënës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›