Fusha e aviacionit, KRRT-ja e kthen në park të gjelbër
Projekti i miratuar nga KRRT-ja e kthen fushën e aviacionit në park të gjelbër me gjatësi 1 kilometër, me mjedise çlodhëse dhe argëtuese për të gjitha moshat
Ish-fusha e aviacionit që prej vitesh identifikohet si një nga zonat më problematike, për sa i përket ndotjes, do të marrë një tjetër pamje. Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Tiranës (KRRT) u prezantua nga Bashkia e Tiranës kërkesa për miratim të projektit teknik për parkun urban të ndodhur në zonën e ish-fushës së aviacionit. Sipas projektit të prezantuar në mbledhjen e KRRT-së së Tiranës, parku do të ndërtohet një gjatësi prej 1 kilometër dhe do të ketë mjedise çlodhëse dhe argëtuese për të gjitha moshat.
Rama: “Ky do të jetë parku i dytë pas atij të Liqenit, do të ketë fusha lojërash, rrugë vetëm për këmbësorët, pemë të shumëllojshme e shumë të tjera”.
Ndërtimi i këtij parku në zonën e ish-fushës së aviacionit ka edhe mbështetjen e banorëve të zonës. Ndërkaq, në mbledhjen e radhës së KRRT-së u diskutua edhe për Planin e ri Rregullues të kryeqytetit, i cili prej disa javësh është bërë publik për qytetarët në qendër të Tiranës, ku është parë nga qindra qytetarë.
Kryebashkiaku Rama, i pranishëm në mbledhje, është shprehur lidhur me këtë projekt: “Ky është një park i ri për kryeqytetin, që vjen si rezultat i vizionit të planit të ri të Tiranës, por edhe si domosdoshmëri në funksion të rritjes së dimensionit të gjelbër të kryeqytetit. Projekti i këtij parku sjell një sasi të konsiderueshme metrash katrorë gjelbërim në kryeqytet, që përmban në vetvete një sërë hapësirash për të gjitha moshat dhe një sërë karakteristikash të reja, së bashku me një sasi të konsiderueshme pemësh të shëndetshme si edhe me aksesorë të domosdoshëm, si fushat e lojërave me dorë, pistat e vrapimit, këndet e lojërave për fëmijët, pa dyshim edhe kënde çlodhëse për më të moshuarit, së bashku me një hapësirë të gjerë këmbësorësh”.