E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryerja e operacioneve Detyrim njohja e risqeve para ndërhyrjes

18/06/2010 Për çdo ndërhyrje kirurgjikale që do të zhvillohet në spitalet publike, pacienti apo të afërmit e tij do të nënshkruajnë me parë një deklaratë ku pranojnë njohjen e komplikacioneve që mund të kenë gjatë ndërhyrjeve. Ndërkohë që ekipet mjekësore do të mbajnë përgjegjësi ligjore për zbatimin e kësaj procedure, e cila është bërë publike gjatë ditës së djeshme, nga kreu i dikasterit shëndetësor Petrit Vasili. Aktualisht miratimi i pacientit apo i personave të tjerë ligjorë të autorizuar për nënshkrimin e deklaratës së konsensusit për njohjen e komplikacioneve të ndërhyrjeve ekziston dhe aplikohet gjerësisht ne klinikat dhe spitalet private, teksa do të jetë një procedurë e detyruar edhe në të gjitha institucionet publike. Me urdhër të ministrit Vasili, për herë të parë aprovohet edhe në vendin tonë kjo praktikë, që sanksionon transparencën dhe ndihmon në rritjen e përgjegjësive në marrëdhëniet mjek-pacient-sistem shëndetësor. Zbatimi i këtij urdhri do të jetë i detyruar jo vetëm për spitalet, por edhe për poliklinikat ku do të ofrohen shërbime. Pas daljes së kësaj nisme, kreu i QSUT-së, Ilir Dashi ka pohuar se me këtë procedurë plotësohet kartela e pacientit. Aktualisht kjo praktikë është zbatuar në QSUT, por vetëm për rastet e rënda. Me këtë urdhër parashikohet që edhe akuzat për mjekët dhe pacientët të marrin fund. “Mendoj se është një urdhër shumë pozitiv dhe i efektshëm për të rregulluar këto marrëdhënie pacient-mjek, për më tepër që krijon një konsensus shumë të mirë lidhur me ekzaminimet invazive dhe ndërhyrjet kirurgjikale, ku nëpërmjet një deklarate të veçantë, ndryshe nga deri më tani, pacienti ose familjari bie dakord për tri gjëra kryesore: procedurën që do të ndodhë, trajtimin alternativ që ka lidhje me këtë dhe rreziqet apo komplikacionet që mund të shoqërojnë procedurën. Deri tani ka qenë e paplotë, e shënuar diku në kartelë, por gjithsesi e pamjaftueshme. Me këtë deklaratë-konsensus që merret nga pacienti apo familjari rregullohen të dyja marrëdhëniet. I rëndësishëm është fakti se mjeku mbrohet në mënyrën më pozitive nga çdo lloj ankese e mëvonshme ose komplikimi, por edhe pacienti është i ndërgjegjshëm dhe shumë më i informuar për çfarë do të trajtohet dhe çfarë do të ndodhë me të”, ka nënvizuar Dashi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›