E Diel, 1 Nëntor 2026

Legalizimet, procesi në dorë të qytetarëve

18/06/2010 Rreth 15 mijë pronarë të rinj nuk kanë paguar taksat për të marrë certifikatën e pronësisë

Deri më tani është dhënë hipoteka për një mijë objekte, në proces edhe 3 mijë të tjera

Mbyllja e procesit të legalizimeve tashmë varet direkt nga interesi i qytetarëve për të shlyer detyrimet financiare ndaj shtetit deri në marrjen e certifikatës së pronësisë së objektit të ndërtuar pa leje. Kreu i agjencisë rajonale të legalizimit për Tiranën, Agim Berisha, i fton të 15 mijë pronarët e rinj, që kanë marrë një faturë pagese, të kryejnë atë për t’i hapur rrugë më pas procedurave të tjera nga marrja e lejes së legalizimit e deri në marrjen e certifikatës së pronësisë. "Qytetarët duhet të reagojnë më shpejt për të bërë pagesat, në mënyrë që të mbyllet faza e këtij procesi. Ka një tentativë që qytetarët paguajnë vetëm taksën e ndryshimit në infrastrukturë, që është pagesa për banesën, po kjo nuk është procesi i legalizimit. Procesi i legalizimit kërkon të gjitha llojet e pagesave që qytetari ka në dosje, pra, pagesa për parcelën, pagesa për taksën e ndikimit dhe pagesa për tarifën e shërbimit", deklaroi dje Agim Berisha, drejtor ALUIZNIT, Tiranë. Deri më tani mbi një mijë banorë të përfshirë në legalizim kanë marrë hipotekën për banesat e tyre, ndërkohë edhe 3 mijë të tjerë janë në proces në zyrat e regjistrimit të pronësisë. Por shifrat tregojnë se mbetet për të bërë edhe një volum shumë i madh pune. "Gjithë qarku i Tiranës ka rreth 83 mijë ndërtime pa leje, deri tani rreth 70 mijë janë identifikuar në terren, rreth 40 mijë kemi miratuar me vendim qeverie kalim pronësie. Pra, është hapur rruga për të vazhduar fazat e mëtejshme të procesit. Pas këtyre vjen përgatitja e dokumentacionit, dosjes që jepet, fatura e qytetarit për të bërë pagesën. Me të kryer qytetari pagesën, ne japim lejen e legalizimit, atje nënshkruhet një kontratë para noterit, që është kontrata e kalimit të pronësisë mes shtetit dhe pronarit të ri që është krijuar dhe çohet dokumentacioni në hipotekë", vijoi Berisha. Agjencia rajonale e Tiranës synon që deri në fund të vitit të ketë miratuar në qeveri të gjithë dosjet e qytetit të Tiranës. Nga 350 mijë ndërtime të paligjshme, një në çdo katër banesa informale janë në qarkun Tiranë.

Pagesa me bono

Rreth 1538 familje që presin të legalizojnë pronat me bono kanë gati faturën dhe u mbetet vetëm të derdhin detyrimet në bankë për të formalizuar pronën. Agjencia e Legalizimeve për qarkun e Tiranës ka bërë gati 1538 faturat e para për kryeqytetasit. Këtyre aplikantëve iu mbetet vetëm të shlyejnë detyrimin pranë bankave dhe të marrin tapitë në Hipotekë. Bëhet fjalë për të gjithë aplikantët, të cilët kanë plotësuar kërkesën për të bërë legalizimin e ndërtimeve të tyre me bono privatizimi. Ndërkohë që janë edhe 8 mijë kërkesa për legalizim me bono dhe me para “cash”, që po shqyrtohen nga ALUIZNI sipas një plani pune të miratuar më parë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›