E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryesia, Rama- deputetëve: Sillni propozimet, ka vetëm lista korridoresh

Po dje, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se kandidatura e Bujar Leskajt për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit nuk përmbush asnjë nga kushtet e Partisë Socialiste.

TIRANË Në fillim të muajit dhjetor, Partia Socialiste pritet që të mbledhë Asamblenë Kombëtare për të miratuar kryesinë e re. Për pasojë, gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PS-së, kryetari i PS-së, Edi Rama ftoi deputetët që të sillnin propozimet e tyre për kryesinë. Në bazë të statutit të PS-së, i takon kryetarit të partisë që të paraqesë pranë Asamblesë listën e kandidaturave për anëtar kryesie. “...Dua t’ju kërkoj të gjithëve, që në kuadrin e përgatitjes së mbledhjes zgjedhore të Asamblesë Kombëtare të më ndihmoni me propozimet tuaja për listën e kryesisë së re të Partisë Socialiste, që sipas statutit kam detyrimin t’ia paraqesë Asamblesë. Të njëjtën gjë e kam kërkuar edhe nga anëtarët e porsazgjedhur në Asamblenë Kombëtare nga Kongresi i 5 nëntorit”, - tha ai. Lista që do të përzgjidhet nga propozimet e bëra, pritet të jetë edhe ajo zyrtarja nga ana e Partisë Socialiste për t’u paraqitur pranë Asamblesë Kombëtare. Për pasojë, Rama ka kërkuar që të mos merren për bazë lista që nuk janë diskutuar ende nga strukturat zyrtare. “S'ka listë kryesie nëpër korridore, por vetëm lista korridoresh në gazeta dhe kronika”, - u shpreh Rama pak orë më pas në faqen e tij në Tëitter.

Kandidatura e Leskajt

Bujar Leskaj, kandidatura e Presidentit të Republikës për të drejtuar Kontrollin e Lartë të Shtetit nuk do të votohet nga asnjë prej deputetëve socialistë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se kandidatura e Leskajt nuk përmbush asnjë nga kushtet e Partisë Socialiste. “Kuvendi do të shqyrtojë dekretin e Presidentit të Republikës për kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kandidatura e propozuar nuk i përmbush kriteret e vendosura prej nesh në paktin prej 10 pikash që kemi propozuar “Për Shqipërinë si gjithë Europa”. E them këtë me keqardhje, sepse ndërkohë që ka një traditë që Kontrollin e Shtetit nuk e merr qeveria dhe që ne për më tepër kemi deklaruar se nuk duam një kryetar të Kontrollit të Shtetit nga PS-ja, por nga asnjë prej dy partive të mëdha, propozohet një figurë e cila jo vetëm vjen nga partia në pushtet, por nuk përmbush asnjë lloj kushti për t’u konsideruar seriozisht prej nesh”, - tha dje kryetari i PS-së, Edi Rama. Kryetari i opozitës shtoi se KLSH-ja nuk mund t’i përkasë pushtetit dhe se vetë shteti duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo partive. “Grupi ynë parlamentar nuk mund ta votojë pro dekretin në fjalë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk mund të jetë i shtetit, por thjesht i pushtetit në rast se dekreti kalon. Ky është rasti për të vënë dhe njëherë në pah vizionin tonë për një shtet shqiptar në shërbim të qytetarëve dhe jo të partive”, - shtoi ai. Për këtë arsye, Rama nuk përjashtoi nga vëmendja edhe mënyrën se si po veprohet në PS për emërimin e Avokatit të Popullit. “Duke e përshëndetur edhe hapjen e faqes online për mbledhjen e kërkesave të të gjithë atyre që aspirojnë të marrin përsipër misionin e Avokatit të Popullit pa dallim moshe, gjinie, krahine apo bindje politike, duam për Avokat të Popullit një figurë të denjë në shërbim të Kushtetutës dhe të popullit shqiptar, jo një të emëruar për interesa vetjake apo partiake. Profesor Luan Omari dhe juristi i njohur Vangjel Kosta, e kanë pranuar ftesën për t’u bërë pjesë nga shoqëria civile e komisionit përzgjedhës që tanimë ka nisur punën. Dua t'i siguroj të gjithë të interesuarit dhe opinionin publik se ky komision ka të gjithë integritetin moral dhe intelektual për të garantuar një proces transparent dhe të drejtë, bazuar mbi meritën dhe vetëm mbi meritën e kandidatëve dhe kandidateve, në funksion të misionit kushtetues dhe të funksioneve ligjore të Avokatit të Popullit”, - tha ai. Rama theksoi se pasi të mblidhen të gjitha kërkesat në afatin e paracaktuar nga komisioni, do të organizohet edhe një seancë dëgjimi e hapur, ku më pas do të përgatitet edhe një raport konkret për kryesinë e Partisë Socialiste dhe për grupin parlamentar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›