Berisha fton biznesin izraelit: Jemi vendi me barrën më të ulët fiskale
IZRAEL Në ditën e tretë të vizitës në Izrael, kryeministri Berisha mori pjesë në punimet e Forumit Ekonomik Izrael-Shqipëri, organizuar në Tel-Aviv, nga Federata Izraelite e Dhomave të Tregtisë, bashkë me Unionin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë. Gjatë punimeve të këtij forumi, kryeministri Sali Berisha ftoi sipërmarrësit izraelitë që të investojnë në Shqipëri, duke përfituar në këtë mënyrë nga barra më e ulët fiskale në Europë. “Unë jam njeri i taksave të ulëta. Kur u futa në politikë, nuk dija pothuajse asgjë për tregjet. Por isha një ndjekës i apasionuar i Ronald Reagan-it. Reagan shkruante se paraja në llogaritë e individëve privatë ka më shumë vlerë për shoqërinë, sesa paraja në llogaritë publike. Kështu që i ndoqa postulatet e tij. Në atë kohë vendosëm barrën më të ulët fiskale në Europë. Vendi im u bë një vend me rritje ekonomike dyshifrore. Pasi kalova në opozitë, taksat u rritën. Kur erdha sërish në pushtet, ula sërish taksat. Tani Shqipëria ka një taksë të sheshtë prej 10 për qind dhe 15 për qind taksën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për sipërmarrësit. Hoqëm shumë lloje taksash dhe tani jemi vendi me barrën më të ulët fiskale në rajon dhe në Europë”, - tha Berisha. Kryeministri shtoi se Shqipëria është vendi i vetëm që mund të bëhet tërësisht një prodhues dhe eksportues i energjisë së rinovueshme. “Tani jemi 98 për qind prodhues i energjisë së rinovueshme, por nuk kemi shfrytëzuar besoj më shumë se 15 për qind të të gjitha potencialeve tona të jashtëzakonshme të energjisë së rinoveueshme, qoftë në ujë, erë, energji diellore, gjeotermike, të biomasës. Qeveria ime është përqendruar për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar në një mënyrë të gjelbër. Duam të shmangim gabimet e bëra nga vendet e zhvilluara”, - tha ai. Po dje, kryeministri Berisha zhvilloi një takim edhe me kryetarin e Bashkisë së Tel-Avivit, Ron Huldai. Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Tel-Avivit, duke uruar për zgjedhjen e Lulzim Bashës në detyrën e kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit, shprehu kënaqësinë dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës. Ftesës së kryeministrit Berisha për të vizituar Shqipërinë, si dhe për të zhvilluar bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, Ron Huldai iu përgjigj pozitivisht. Kryetari i Bashkisë së Tel-Avivit i dha kryeministrit Berisha në shenjë simbolike Pasaportën e qytetit të Tel-Avivit.