E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Vlorë: Duhet ta harrojmë Ilir Metën

Kryetari i PS-së, Edi Rama përjashtoi mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me LSI-në: “Kushdo që kërkon rrëzimin e Saliut ka vend në PS”

Vlorë- Nuk do të ketë aleancë parazgjedhore PS-LSI. Të paktën kështu ka lënë të kuptohet qartë kryetari i PS-së, Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së, Vlorë. “Duhet ta harrojmë Ilir Metën. Do ta mundim Saliun me moral, me program me bashkim. Nuk mund të bashkohemi me Saliun për të rrëzuar Saliun. Ne jemi Partia Socialiste për një sërë vlerash dhe parimesh. Nuk mund të zhgërryhemi për hir të pushtetit se nuk do të njihemi më. Kushdo që kërkon rrëzimin e Saliut ka vend në PS”,- tha dje Rama. Kryetari i PS-së po ndërmerr një tur në bazë me qëllim diskutimin e programit të miratuar në kongresin e fundit socialist. Thuajse në çdo takim të zhvilluar nëpër rrethe, Rama ka përcjellë mesazhe rreth situatës ekonomike e politike në vend. Kësaj here, nga Vlora, Rama ka thënë prerazi se nuk mund të ketë bashkëpunim me kryetarin e LSI-së, Ilir Meta, edhe pse kjo forcë politike është diskutuar si anija e vetme e shpëtimit për PS-në në zgjedhjet e 2013-ës. Dy ditë më parë, edhe LSI-ja, përmes sekretarit për çështjet elektorale, Ylli Manjani, përjashtoi mundësinë e një bashkëpunimi të paktën deri në zgjedhjet e 2013-ës. Në anën tjetër edhe PD-ja, përmes nënkryetarit demokrat, Astrit Patozi, është shprehur se koalicioni me LSI-në është solid. Ndërkohë, dje Rama ka prekur edhe situatën ekonomike në vend, temë e cila zuri një vend të rëndësishëm edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së. “Kemi hyrë në periudhën kohore të debatit më të rëndësishëm të vitit parlamentar, të projektbuxhetit. Fatkeqësisht, kambanat tona për krizën që sot ka prekur palcën e ekonomisë kombëtare e familjare, nuk u dëgjuan. Ato ranë fort në kohën e duhur dhe kur kishte ende kohë për ta ndalur inercinë e krizës. Por jo vetëm nuk u dëgjuan, dhe jo vetëm kriza u mohua, por ndodhi edhe shumë më keq. Sistemi i administrimit financiar u shthur. Borxhi dhe deficiti u thelluan. Themelet e stabilitetit makroekonomik të vendit u prekën. E gjitha për hesapet elektorale të Saliut.

Sot, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmojnë ad literam shqetësimin tonë publik të Asamblesë së posaçme kombëtare të dhjetorit 2009. Ata flasin për një borxh që ka hyrë në zonën e riskut të lartë dhe për domosdoshmërinë e masave të kthesës përpara humnerës në horizont”, - tha dje Rama në mbledhjen e grupit. Ai shtoi se, është skandaloze që qeveria ka parashikuar një rritje ekonomike krejt utopike me qëllimin e vetëm që të vazhdojë, sipas tij, lojën e rrezikshme të thellimit të borxhit. “Logjika e kësaj qasjeje është “pas nesh u bëftë qameti”. Dhe ne, grupi parlamentar i opozitës, në qasjen tonë largpamëse duhet të vëmë alarmin fundor në debatin për projektbuxhetin. Nesër do të jetë shumë vonë dhe kostot e rimëkëmbjes do të jenë të papërballueshme për një kohë të gjatë. Por nga ana tjetër, ne s’mund të pranojmë që pesha e krizës të thyejë kurrizin e njerëzve të zakonshëm dhe të shtresave më të dobëta sociale të këtij vendi. Projekti ynë për heqjen e TVSH-së së disa ushqimeve bazë dhe ilaçeve, si dhe uljen e TVSH-së së energjisë e lehtëson barrën e krizës mbi familjet shqiptare që jetojnë me një rrogë apo që mbyten përditë në rrugët e papunësisë dhe të varfërisë”, - tha ai, duke kërkuar që zëri i opozitës të dëgjohet me ngulm. Rama kundërshtoi gjithashtu nxjerrjen në privatizim të katër hidrocentraleve, që së fundmi janë shkëputur edhe nga bilanci i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare për të krijuar një kompani të re.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›