E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e OSBE: Te anulohen tubimet,autorët e dhunës para ligjit

VILNIUS- Në emër të kryesisë së OSBE, Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë, Avaldas Ignatavičius i bën thirrje qeverisë dhe opozitës të rifillijonë dialogun politik, të hetohen ngjarjet e 21 janarit dhe autorët e dhunës të vihen përpara drejtësisë.

Zyra e OSBE-së në Tiranë nëpërmjet një njoftimi për shtyp të shpërndarë sot paradite për median informon se sot zoti Ignatavičius ka zhvilluar biseda telefonike me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë bisedës telefonike zoti Ignatavičius i ka komunikuar dy liderëve kryesorë politikë se
OSBE-ja ndjen keqardhje për humbjen e jetëve dhe plagosjet që ndodhën kur demonstrata politike e së premtes kaloi në dhunë. Ai, gjithashtu u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe ka theksuar “nevojën për të hetuar ngjarjen dhe për t’i vënë autorët e dhunës përpara drejtësisë”.- bën të ditur zyra e OSBE-së

“Për të zgjidhur dallimet politike ekzistuese, janë të nevojshëm dialogu dhe dëshira për të bërë kompromis”, tha ai.

“Unë nxis partitë politike të Shqipërisë të angazhohen në dialog konstruktiv e përfshirës ndërpartiak në parlament si dhe në institucionet e tjera demokratike që ekzistojnë në vend”, është shprehur më tej ai.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Lituanisë i ka bërë thirrje partive politike të heqin dorë nga organizimi i demonstratave në ditët e ardhshme, për të shmangur kështu rritjen e tensionit.

“Retorika politike e ashpër në publik vetëm sa do të përkeqësonte gjendjen dhe duhet shmangur”- theksoi Avaldas Ignatavičius.

Ignatavičius theksoi, gjithashtu, se ruajtja e rendit publik dhe shtetit të së drejtës është e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve.
(s.g/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›