Kryesia e PD do vendosë për kandidatin, pas samitit të NATO-s në Çikago
“Partia Demokratike do shkojë në zgjedhjet presidenciale me kandidatin e saj”.
Ky është qëndrimi zyrtar i selisë blu, i përforcuar edhe nga kryeministri Berisha, në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar.
Kreu i mazhorancës ka deklaruar se, menjëherë pas kthimit nga samiti i NATO-s në Çikago do të mbledhë kryesinë e Partisë Demokratike. Do të jetë ky organ vendimmarrës që do të mandatojë kryeministrin Berisha për të negociuar me aleatët dhe faktorët e tjerë parlamentarë, me qëllim marrjen e mbështetjes së plotë, për kandidatin e PD.
“Partia Demokratike do të shkojë në negociata me kandidatin e saj, që duhet të jetë një nga drejtuesit e Partisë Demokratike”, është shprehur më herët kryeministri Berisha. Debati i vërtetë për zgjedhjen e presidentit të ri, pritet të marrë jetë pas punimeve të samitit të Çikagos.
Pas punimeve të samitit të Aleancës Veri-Atlantike, kryetari i PD-së, Berisha do nisë negociatat me partitë aleate, për presidentin e ri. Negociatat nuk përjashtohen as me drejtuesin e Partisë Socialiste, pasi dialogu i nisur së fundmi bëhet me qëllim që t’i shërbejë një figure konsensuale. Pavarësisht ecurisë së negociatave me opozitën, kryetari i qeverisë e ka shprehur qartë se në garën Presidenciale, Partia Demokratike do shkojë me një kandidat të saj.