Meta: “LSI do t’i qëndrojë korrekt marrëveshjes me PD-në”

Kreu i LSI rrëzon ëndrrat opozitare për ndërrim ekuilibrash në parlament
Kryetar i LSI, Ilir Meta u ka bërë thirrje nga Korça forcave politike, që të përmbyllin në mënyrë urgjente reformën zgjedhore, deri në datën 24 maj, por edhe të përshpejtojnë ritmet e reformës parlamentare, për një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së imunitetit, duke u angazhuar, për të realizuar të gjitha prioritetet e tjera të përcaktuara nga BE.
LSI, theksoi Meta, është e njohur si forcë politike, e cila ka në plan të parë stabilitetin dhe integrimin e vendit dhe është krijuar për të përshpejtuar proceset integruese dhe qëndrimet e kësaj force politike janë pikërisht në funksion të përmbushjes së këtyre objektivave.
Në lidhje me deklarimet e kreut të PS, se do të bashkëpunojnë me LSI, nëse ajo del nga koalicioni, Meta theksoi se është domosdoshmëri,që të praktikohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë, procesi i dialogut midis të gjithë faktorëve politikë, por në mënyrë të veçantë dialogu me forcat parlamentare.
Nga ana tjetër, për sa i përket vazhdimësisë së koalicionit qeverisës, kreu i LSI deklaroi se forca politike që ai përfaqëson ,njihet si parti që u qëndron marrëveshjeve dhe thelbi i çdo marrëveshje, ka në thelb integrimin e vendit.
Kreu i LSI Meta u shpreh edhe në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri, duke theksuar se më i rëndësishëm se emri, mbetet procesi konstruktiv dhe dialogu, i cili nuk duhet të synojë thjesht zëvendësimin e dikujt, por duhet të synojë përshpejtimin e reformave integruese. Meta ka uruar që presidenti të zgjidhet që në raundin e parë, mundësisht me 140 vota, duke konfirmuar angazhimin e LSI për të bërë gjithçka që është e mundur, për një proces evropian, i cili kërkon që klasa politike të demonstrojë pjekurinë e duhur.
Kreu i LSI mori pjesë në konventën zgjedhore të LGI për degën e Korçës,e cila zgjedh emrin e ri që do të drejtojë këtë strukturë për 4 vitet e ardhshëm.
Kreu i opozitës është shprehur se do të bashkëpunojë me LSI-në në rast se ju largoheni nga koalicioni. Cili është komenti juaj?
Lëvizja Socialiste për Integrim është e njohur si forcë politike e cila në plan të parë ka interesat e stabilitetit të vendit dhe padyshim është krijuar si forcë politike për të ndihmuar përshpejtimin e procese integruese në vend. Ndaj edhe të gjithë qëndrimet e saj burojnë pikërisht nga ky angazhim madhor për ta forcuar këtë stabilitet dhe mbi të gjitha për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Evropian. Kjo është arsyeja që ne kemi apeluar, në mënyrë të vazhdueshme gjatë muajve të fundit, për të përmbyllur disa nga prioritetet kyçe të cilat kanë të bëjnë edhe me vlerësimin që do të bëhet në vjeshtën e këtij viti për statusin e vendit kandidat. Unë gjej rastin që edhe këtu nga Korça për të apeluar edhe një herë tjetër për mbylljen urgjente të reformës zgjedhore deri më 24 maj, por edhe të reformës parlamentare, për një zgjidhje sa më të shpejtë të çështjes së imunitetit dhe natyrisht edhe për të gjithë prioritetet e tjera të cilat tashmë janë të njohura si 12 rekomandimet apo prioritetet e Komision Evropian për Shqipërinë.
A mund të flasim për një dialog të hapur me Edi Ramën që pas takimit që patët?
Lëvizja Socialiste për Integrim është e bindur se dialogu është një domosdoshmëri që duhet praktikuar pa ndërprerje midis të gjithë aktorëve politik, në radhë të parë atyre parlamentarë, sepse dialogun e kërkon detyrimi për t’i shërbyer disa interesave që janë përtej atyre partiake dhe interesi kryesor në këtë rast është përshpejtimi i integrimit evropian. Kjo është një sfidë e të gjithë partive dhe prandaj kërkon dialog, kërkon bashkëpunim, kërkon kompromise dhe vullnet pozitiv.
A mund të ndërprisni para kohe bashkëpunimin me Partinë Demokratike për shkak të një bashkëpunimi me Partinë Socialiste?
Lëvizja Socialiste për Integrim njihet si një forcë politike e cila u qëndron marrëveshjeve dhe natyrisht që thelbi i çdo marrëveshjeje tonë ka të bëjë në radhë të parë me integrimin e vendit.
Ndërkombëtarët kërkojnë që Presidenti të zgjidhet me 84 vota dhe jo me 71. Cili është mendimi juaj?
Dhe unë uroj që çështja e Presidentit të zgjidhet që në raundin e parë mundësisht me 140 vota por natyrisht ajo që është më e rëndësishme do të ishte zhvillimi i një procesi konstruktiv, i një procesi dialogues, i një procesi i cili nuk synon zëvendësimin e dikujt por në radhë të parë synon vazhdimin e të gjitha reformave të cilat do të duhet të vijojnë edhe pas zgjedhjes së Presidentit të ri.
Është më i rëndësishëm procesi apo emri që do të zgjidhet?
Nuk ka nisur ende procesi megjithatë kemi një proces komunikimi. Kemi mendime të ndryshme. Kemi edhe kandidatë të caktuar. Unë mendoj se kjo është pozitive. Ndërsa për sa i takon Lëvizjes Socialiste për Integrim rëndësi ka procesi dhe rëndësi ka që Shqipëria të marrë patjetër statusin e vendit kandidat në fund të këtij viti. Kjo nuk është thjesht për arsye të cilat kanë të bëjnë vetëm me imazhin e Shqipërisë, pasi do të jetë një vend që arrin një status të ri dhe hedh një hap të ri në raport me BE-në, por kjo absolutisht ka për të ndikuar dhe do të ndikojë në forcimin e stabilitetit të vendit dhe njëkohësisht ka për të ndikuar edhe për të tërhequr më shumë investitorë të huaj në Shqipëri por edhe do të rrisë rolin konstruktiv të Shqipërisë në të gjithë rajonin tonë.
A është Fatos Nano kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim për President?
LSI nuk ka shpallur asnjë kandidat për President sepse nuk e shikon çështjen e zgjedhjes së Presidentit si një mundësi për të bërë një garë ndërmjet forcave politike por LSI ka si objektiv kryesor t’i shërbejë një procesi sa më konstruktiv, një procesi i cili do të sillte një vazhdimësi reformash në të ardhmen në vend sepse kjo është ajo për të cilën ka më shumë nevojë Shqipëria.
Do të thotë kjo që ju do t’i mbështesni të gjitha kandidaturat e mazhorancës?
Ne jemi të vendosur për t’i kontribuar një procesi stabilizues, një procesi konstruktiv, një procesi i cili i jep një notë pozitive klasës politike shqiptare nga partnerët ndërkombëtarë por në radhë të parë nga vetë qytetarët shqiptarë të cilët janë të interesuar më shumë për tu forcuar stabiliteti i vendit, për tu mbrojtur sa më shumë nga efektet e kësaj krize ekonomike dhe financiare që shohim ën vendet fqinje dhe kudo. Ky është interesi më i madh. Nuk është çështja e një emri që do të zgjidhet por kemi të bëjmë me një proces me mpakte shumë të rëndësishme që ne do të punojmë që të jenë mpakte pozitive për Shqipërinë.
Sa përcaktuese do të jetë LSI-ja në procesin e zgjedhjes së Presidentit?
Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur dhe natyrisht që i gjithë kontributi ynë ka qenë dhe mbetet për një proces konstruktiv, stabilizues dhe europianizues sepse është momenti që klasa politike në Shqipëri të demonstrojë atë pjekuri të cilën e kërkon vetë situata që ndodhet vendi por njëkohësisht edhe situata e fqinjëve tanë e cila nuk është ajo që ne do të dëshironim.
Meta: Përfaqësimi i grave, në nivele të rëndësishme
Kreu i LSI-së, apel forcave politike: Të punojmë për integrimin e vendit
Gjatë konferencës së Lëvizjes së Gruas për Integrim në Korçë (LGI), kreu i LSI-së Ilir Meta garantoi përfaqësim të drejtë të grave, në nivele të rëndësishme vendimmarrëse. “Unë jam i sigurt se në të ardhmen përfaqësimi juaj do të jetë në nivele absolutisht shumë të rëndësishme, sepse nuk është çështje kuotash përfaqësimi i grave, përfaqësimi i vajzave, përfaqësimi i nënave, por është një domosdoshmëri për të qenë në të gjitha forumet vendimmarrëse në nivel lokal, në nivel kombëtar në mënyrë që t’i jepet zgjidhje sa më shumë problemeve që shqetësojnë ato sepse sa më pak shqetësime të kenë gratë, vajzat dhe nënat e Shqipërisë aq më të lumtura janë familjet shqiptare. Është e rëndësishme që të kuptojmë se shumë vende po jetojnë momente të vështira dhe e gjithë bota po ndeshet me probleme të panjohura më parë dhe me një krizë, të cilës ende nuk i dihet fundi”, u shpreh Meta.
Ai foli për rolin e grave në shoqëri, duke theksuar se gratë janë një fuqi e madhe që duhet investuar në të mirën e vendit.
“Unë kam besim të jashtëzakonshëm tek gratë e Shqipërisë të cilat kanë aftësi të jashtëzakonshme, kanë një vitalitet të jashtëzakonshëm dhe pjesëmarrja e tyre më e gjerë në politikë do të thotë më shumë energji pozitive, do të thotë një mundësi më e madhe për të ecur më shpejt në drejtimin e duhur, më shpejt për të konsoliduar dhe emancipuar shoqërinë tonë, por absolutisht më shpejt për të forcuar dhe konsoliduar familjen shqiptare, një familje gjatë këtyre dy dekadave të tranzicionit është tronditur jo pak nga fenomene të panjohura më parë. Ndaj dhe roli i grave ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm dhe unë jam i sigurt se ky rol do të vijë rritje sepse kjo fuqi e madhe është një fuqi që duhet investuar në të mirë të vendit në të mirë të familjeve shqiptare, në të mirë të edukimit të gjeneratave të reja”, tha ai.
Gjithashtu, kreu i LSI-së foli dhe për krizën në fqinjin tonë Jugor, duke u shprehur se një situatë e tillë s’duhet të prekë Shqipërinë.
“Po të shohim zhvillimet e fundit në Greqi, një vend prej dekadash anëtar i Bashkimit Europian, një vend ku ndodhen dhe sot shumë prej të afërmve tuaj, po të shohim problemet edhe në vende të tjera të Bashkimit Europian, vende të cilat përfaqësojnë partnerët kryesorë ekonomikë dhe tregtarë të Shqipërisë do të shohim se nuk është një situatë siç ata do të dëshironin për veten e tyre, por edhe ne për ta dhe për të gjithë rajonin ku jetojnë sepse sot gjithçka është e ndërvarur si më parë për shkak të proceseve integruese ku vendi ka hyrë prej dy dekadash. Ndaj është e rëndësishme që të forcohet stabiliteti politik dhe ekonomik i vendit, ndaj është e rëndësishme që jeta politike të përqendrohet tek zgjidhjet që të vendoset arsyeja dhe logjika në themel të çdo zgjidhjeje që i shërben forcimit të këtij stabiliteti”, tha ai.
Duke theksuar se, “është e rëndësishme që të ecim më shpejt drejt Bashkimit Europian, edhe për një arsye tjetër, sepse është e vërtetë që BE-ja e ka ulur shpejtësinë për zgjerimin e vendeve të tjera për arsye të problemeve që ai ndeshet vetë dhe e vetmja mënyrë për të kompensuar këtë, është që ne të rrisim shpejtësinë, që të ne të përshpejtojmë reformat që ne të tregojmë se dimë t’i plotësojmë të gjitha standardet të cilat nuk na duhen thjesht për të shkuar në Bashkimin Europian, por të cilat na duhen për të pasur një Shqipëri më të qëndrueshme, një Shqipëri më të sigurt, një Shqipëri ku të rinjtë dhe të rejat gjejnë të ardhmen dhe perspektivën e tyre sepse po e shohim që edhe emigracioni nuk është një zgjidhje as e mrekullueshme dhe as mund të jetë një zgjidhje përgjithmonë”.