E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e PS miraton kryetarët e rretheve

TIRANE- Kryesia e PS-së miratoi mbrëmë kandidaturat për kryetarë të PS-së në rrethe. Sipas këtij vendimi, të gjithë kandidatët e miratuar duhet t’i nënshtrohen votimit, në asambletë e rretheve, ku janë propozuar. Zgjedhjet do të zhvillohen gjatë ditëve të fundjavës, duke nisur nga e premtja, e shtuna dhe e diela dhe procesi do të mbyllet deri më 12 korrik.

Mbrëmë anëtarët e kryesisë së PS-së nuk kanë marrë një vendim për zgjedhjet e kreut të rrethit në Gjirokastër, i cili është rrethi i vetëm ku procesi i përzgjedhjes së kandidatëve nisi me vonesë dhe u shty për më vonë. Ndërkohë gjatë diskutimeve, kreu i PS-së, Edi Rama ka debatuar gjatë me anëtarin e kryesisë, Ben Blushi. GSH shkruan sot në lidhje me debatin se Blushi i ka kërkuar llogari Ramës pse e kishte përjashtuar nga procesi i përzgjedhjes së kandidaturave por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ramës i cili është përgjigjur mes të tjerash se “unë nuk kam përjashtuar njeri, ti je vetëpërjashtuar me qëndrimet që ke mbajtur”. Probleme ka pasur me listat e Sarandës, Vlorës Librazhdit etj, për të cilat gjithashtu do të diskutohet dhe vendoset më vonë.

Për kryetar PS për degën e Tiranës do të konkurojnë Pjerin Ndreu dhe Bledar Doracaj. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ndreu konkuron për herë të parë për një post të tillë në Partinë Socialiste, qysh pas kalimit nga LSI tek PS. Ndërsa Doracaj, aktualisht është anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe vjen nga një përvojë disa vjeçare në postet drejtuese të FRESSH-it dhe një jetë partiake prej vitesh në PS. Për kreun e rrethit të Durrësit, në listë Gentian Bejko dhe Aurel Voda. Në Elbasan, është në garë ish-deputeti Ndriçim Hysa.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›