Një park skulpturash në Korçë
Mbyllet edicioni i tretë i Simpoziumit Ndërkombëtar të Skulpturës në Korçë, duke i sjellë këtij qyteti edhe 8 vepra të tjera arti, të cilat vendosen në ambientet e parkut “Rinia”. Në datat 22 qershor -5 korrik, 8 artistë nga vende të huaja dhe vetëm një korçar nisën punën për realizimin e skulpturave të parkut. Ata kanë punuar në ambientet e parkut “Rinia”, ku edhe u përuruan veprat e krijuara prej tyre. “Jam i kënaqur që ndodhem në këtë qytet të bukur për të realizuar veprën time. është detyra juaj tashmë, që këto vepra arti t’i ruani dhe t’i bëni të njohura”, tha në emër të skulptorëve të huaj, artisti italian, Ugo Antinari. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Korçës tha se ambientet e parkut “Rinia”, nëpërmjet këtij aktiviteti të rëndësishëm, do të shndërrohen në një galeri të hapur të artit modern, e vetmja e këtij lloji, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. “Ne synojmë që t’i dhurojmë qytetit vepra arti, të cilat tregojnë kulturën tonë, ashtu siç kanë bërë edhe paraardhësit tanë, afro një shekull më parë me aktet e tyre të filantropisë” u shpreh kryebashkiaku i Korçës. Që nga nisja e këtij aktiviteti, tre vite më parë, janë krijuar 24 skulptura, të cilat janë vendosur në të gjithë parkun, një nga pikat më të frekuentuara të qytetit. Me fotot e këtyre skulpturave do të botohet edhe një katalog, me anë të së cilit ky aktivitet do të bëhet edhe më tepër i njohur. G. A