E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e Partisë Socialiste, rinovim në fund të muajit

Opozita Zgjedhjet në degët lokale pritet t’i hapin rrugën rinovimit të kupolës rozë

Kryesia e Partisë Socialiste pritet të ndryshojë përbërjen e saj rreth fundit të muajit qershor. Procesi zgjedhor për rinovimin e strukturave dhe konstituivin e atyre që krijohen rishtas, edhe pse ende nuk është zyrtarizuar, propozimi informal i kandidaturave ka filluar. Madje, sipas burimeve nga selia rozë, bëhet e ditur se rreth datës 10 qershor do të fillojë edhe depozitimi i kandidaturave nga degët e njësive vendore apo edhe ato për krerët e rretheve.

Ndërkohë, zgjedhjet brenda Partisë Socialiste do të kenë një rëndësi të dorës së parë për stabilitetin e brendshëm të saj, për arsye sepse në zbatim të statutit të ri do të vihen në jetë sërish struktura të tilla, si asambletë e rretheve dhe kryetari i PS-së së rrethit. Këta të fundit, në përfundim, do të jenë një trupë prej 36 të zgjedhurish që do të fitojnë automatikisht statusin e anëtarit të Asamblesë Kombëtare. Procesi pritet të angazhojë të gjithë selinë rozë, për sa kohë që propozimet e bëra nga asambletë ekzistuese të njësive vendore do të seleksionohen nga Kryesia e PS-së, për t’iu kthyer mandej sërish atyre për votim. Thënë ndryshe, gara e saponisur në selisë rozë është një shans për korrektimin e përfaqësimit në parti, që gjithsesi në formën e tanishme ka sjellë jo pak pakënaqësi.
Sipas një kuptimi organizativ, me riadaptimin e kësaj formule, PS-ja i rikthehet traditës së saj që ndërmjetësonte punën politike në terren përmes hallkash institucionale lokale me rëndësi dhe peshë në jetën e brendshme të saj. Asambletë e rretheve janë një forum që përfshijnë brenda të zgjedhur në njësitë vendore të rrethit, duke nyjëtuar kështu përfaqësimin e bazës dhe duke i dhënë asaj një peshë të re. Por në proces zgjedhjeje do të kalojnë edhe rreth 16 vende vakante të kryetarëve të PS-së të njësive vendore.

Të mbetur bosh për shkaqe nga më të ndryshmet, strukturat lokale të PS-së, që i përgjigjen në mënyrë identike ndarjes administrative të vendit, janë pjesë e garës që aktualisht duhet thënë se shërben edhe për përgatitjen e partisë për zgjedhjet lokale. Në pikëpamje politike, procesi elektoral, përveçse një provë e re për kreun socialist, Edi Rama, në ruajtjen dhe menaxhimin e ekuilibrave të brendshëm është edhe nisja e asaj që mund të quhet “pastrim i Kryesisë”. Ashtu sikurse është bërë e ditur edhe nga drejtues politikë të afërt me Ramën, rikompozimi i këtij forumi pritet të sjellë zbrazjen nga zërat kundër që tanimë me oponencën e vet publike hyjnë në kushtet e shkeljes statutore të etikës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›