E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria, sukses në luftën antikorrupsion, shoqëria civile dëshmitarja më e mirë”

12-11-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në konferencën e Agjencisë për Mbrojtjen e Shoqërisë Civile

Kryeministri Sali Berisha i bën thirrje Shoqërisë Civile që të japë kontributin e saj në luftën kundër korrupsionit. Duke folur në konferencën e organizuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Shoqërisë Civile, ku u prezantua raporti vjetor i AMSHC, Berisha theksoi se roli i Shoqërisë Civile është i pazëvendësueshëm në luftën kundër korrupsionit.
“Ky takim është një rast për mua të shpreh nderimin tim më të thellë për të gjitha organizatat e shoqërisë civile më Shqipëri, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm që kanë dhënë e japin në të gjitha problemet madhore të shoqërisë shqiptare, t’u shpreh mirënjohjen për përkushtimin e madh që dëshmojnë, t’i falënderoj donatorët për bujarinë e tyre në mbështetjen dhe sponsorizimin që i kanë dhënë veprimtarive shumë të rëndësishme të organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri dhe t’ju garantoj se, krahas vlerësimit shumë të madh që qeveria ka për punën tuaj, ajo është e vendosur të rrisë ndjeshëm mbështetjen ndaj jush si ‘share-holder’ në shoqërinë shqiptare, por edhe si shtyllë ndër më të rëndësishmet të demokracisë së këtij vendi. Në vlerësimin real të rolit tuaj nuk mund të mohohet se në funksionimin e çdo demokracie është edhe shoqëria civile. Roli i saj është i pazëvendësueshëm. Think-tank-et e shoqërisë civile kanë një dallim nga katedrat dhe departamentet e universiteteve. Dallimi është se këto Think-tank-e janë më tokësore dhe më pak akademike. Jo se akademikja është qiellore, përkundrazi, por akademikja është e detyruar të ndjekë akademikët, ndërsa këta ndjekim me përkushtim të madh pulsin, ndjesitë e pjesës më në nevojë të shoqërisë, të problemeve më të mprehta, aty ku lindin”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi mirënjohjen për shoqatat që kontribuojnë për shoqërinë civile, duke theksuar se, “shoqëria shqiptare vuan për fuqizimin e vullnetarizmit, i cili është i pazëvendësueshëm. Shoqëria shqiptare, në tërësi, vuan për fuqizimin e saj dhe ky është vullnetarizmi. I degraduar në të shkuarën në disa forma absurde, ky term fisnik humbi eufoninë e tij, ndërkohë që është i pazëvendësueshëm për një shoqëri dhe e bën një shoqëri më të njerëzishme. Unë jam mjek, kam kaluar dekada në spitale dhe shkoj sërish atje, por është një spital, ku unë impresionohem më shumë se kudo tjetër dhe ky është spitali i motrave të Nënë Terezës, të cilat derdhin lumenj djerse mbi parimet më njerëzore të vullnetarizmit. Ne shqiptarët kemi një bazë të shkëlqyer, ndër më solidet, të vullnetarizmit dhe këtë bazë, ne e kemi në solidaritetin e shkëlqyer, të lartë familjar. Askund si në Shqipëri ose pak kund sa në Shqipëri, anëtarët e familjes lehtësojnë njëri-tjetrin, i shërbejnë njëri-tjetrit, ndihmojnë njëri-tjetrit për t’i lehtësuar sëmundjet, vështirësitë ekonomike e të gjithanshme. Kjo përbën e ka përbërë një nga faktorët më kryesorë të zbutjes e zvogëlimit të dhimbjeve të pashmangshme të reformave dhe tranzicionit në këtë vend. Tani është e domosdoshme që këtë traditë të shkëlqyer, këtë solidaritet të madh familjar që ne kemi ta eksteriorizojmë, ta projektojmë bashkërisht në mbarë shoqërinë tonë. Ju dhe vetëm ju jeni vektorët më të sigurt. Ju jeni organizatat, njësitë më të shkëlqyera për ta organizuar këtë. Ne kemi nevojë dhe do duhet të bëjmë gjithçka që të ndajmë dashurinë tonë, të ndajmë shërbimin dhe përkushtimin tonë me ata që janë në nevojë. Numri i tyre është jo i vogël dhe natyrisht, lidhet me të ardhurat dhe jo vetëm me to. Ju e keni të qartë se kjo është komplekse”, tha kryeministri.
Duke u ndalur te përpjekjet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, Berisha tha se Shqipëria e 2011-ës nuk është më Shqipëria e para 2005-ës. Në këtë sens, kryeministri kërkoi mbështetjen e Shoqërisë Civile, në pasqyrimin dhe bërjen transparente të çdo akti qeveritar, në drejtim të luftës kundër korrupsionit.
“Qeveria ka bërë një përpjekje shumë të madhe. Ju mund të imagjinoni një vend që kishte një nga treguesit më të ulët në botë për përdorimin e internetit dhe bëhet vendi i parë në botë në prokurimet elektronike. Dëshmi kjo e një vullneti, pasi të tjerët mund të bëheshin shumë herë para nesh. Apo në praktika të tjera. Por sërish ka korrupsion. Asgjë nuk është më e rëndësishme se zëri i ndershëm e neutral i shoqërisë civile në luftën kundër tij. Është jetik. Unë jam në kontakt me ekspertët më të mirë në luftën kundër korrupsionit dhe në mënyrë të përsëritur, ata më njohin me rezultatet e mëdha në Gjermani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kudo, të angazhimit të shoqërisë civile në luftën kundër tij. Përse nuk nxjerrin mediat të parat, të cilat unë i përshëndes, por shoqërinë civile? Sepse shoqëria civile e bën atë jo me partipri, e bën në mënyrën më objektive, e bën këtë luftë më të besueshme. Askush nuk mund të kërkojë më me të drejtë se ju, transparencën e çdo akti qeveritar, administrativ në vend. Unë kam besim të madh se, në këtë stad të zhvillimit të vendit, shoqëria civile do të fuqizohet dhe do të përmbushë misionin e saj jetik për një demokraci. Nuk ka demokraci pa një shoqëri civile vibrante, sikundër nuk ka pa media të lira. Ndaj unë u bëj thirrje donatorëve, bujarisë së tyre, të ndihmojnë shoqërinë civile. Sidomos në këtë periudhë. Një periudhë krize, ku secili e ka më të vështirë vendimin për bujari. Por të mos harrojmë se bujaria dhe ndihma ndaj tyre është një ndihmë shumë  madhe, shumë e rëndësishme për shoqërinë shqiptare, për ta bërë atë më transparente, më njerëzore e më të lirë”, tha më tej kryeministri Berisha.   

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›