ERE: Rishikim kontratave, pas 30 prillit nuk ka më faturim aforfe
ERE njofton se ka nisur puna për ndryshimin e kontratës së furnizimit me energji të abonentëve të OSSH-së. Privatizimi i sektorit të shpërndarjes dhe detyrimet e reja që lindin mes investitorit dhe palës shtet që mbron konsumatorin do të jenë objekt i rishikimit të kontratës. I thirrur në komisionin parlamentar për t’u dhënë përgjigje disa pyetjeve të deputetëve, kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, tha se ka pasur shumë ankesa nga konsumatorët sa i takon faturimit dhe shërbimit në furnizimin me drita. “Aktualisht luhatja e tensionit në zonat rurale është minus/plus 15 për qind dhe në qytet minus/plus 10 për qind, shumë larg standardit të BE-së, që është 2.5 për qind. Gjithashtu po shikojmë ndryshimin e kushteve në kontratë, si dhe heqjen e faturimit aforfe”, tha Nepravishta. Sipas tij, OSSH-ja ka detyrimin të plotësojë me matës të energjisë të gjithë abonentët, proces ky që duhet të mbyllet brenda muajit prill të këtij viti. Sipas ERE-s, të dhënat e dy muajve më parë tregonin se ishin pa matës energjie rreth 80 mijë konsumatorë.
Tjetër shqetësim për ERE-n është eficensa e energjisë elektrike. Duke marrë si shembull vendet e tjera, Nepravishta tha se funksionimi i energjisë nga panelet diellore do të ishte me goxha leverdi. “Për ngrohjen e 700 mijë bulierëve harxhojmë 500 milionë kilovat energji elektrike. Në rast se do të përdornim panelet diellore, eficensa do të ishte e konsiderueshme”, tha kreu i ERE-s. Aktualisht në vend janë të instaluar rreth 80 mijë metra katrorë panele diellore, shumë pak në krahasim me vendet e tjera dhe për këtë qëllim po punohet me një projekt të PNUD-it për ta bërë më eficente. Në të njëjtën linjë, Nepravishta tha se duhet parë kodi i ndërtimit, ndryshimi i të cilit do të lejonte vendosjen e kushtit për izolimin e pallateve dhe kursimin energjisë në përdorimin për ngrohje.
Tjetër diskutim kishte të bënte me koncesionet në hidrocentrale, të cilat do të rishikohen nga një grup pune sa i takon mbarëvajtjes dhe respektimit të kontratave. Javën e kaluar është zhvilluar një takim në Kryeministri mes ERE-s dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku ndër të tjera u përmend edhe çështja e tarifave të energjisë elektrike për HEC-et me 15 megavat. Aktualisht çmimi i tyre ka rënë në 6 lekë/kilovat, duke mos u dhënë kurajë investitorëve të huaj.
Pas përgjigjeve, anëtarët e komisionit dhanë konkluzionet e tyre për punën e ERE-s, duke aprovuar aktivitetin e saj transparent dhe serioz. Në rezolutë u tha se ERE duhet të vijojë të monitorojë aktivitetin e OSSH-së sa i takon faturimit dhe shërbimit ndaj konsumatorëve.
#