E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pafundësisht në zgjedhje

Manipulimet më 12 dhjetor po e shtyjnë vendin drejt një procesi të pafund zgjedhor. Pas Skenderajt, Drenasit dhe Deçanit, edhe Mitrovica do të shkojë në rivotim. Gjykata Supreme konstatoi se edhe atje u manipulua me votën. Burime të Expressit thonë se mitrovicasit do të rivotojnë më 23 janar. Nga Faton Ismajli më 08 janar 2011 në ora 08:57

Procesi i zgjedhjeve të 12 dhjetorit nuk do të përfundojë as në muajin janar të këtij viti.

Kjo për shkak se vjedhja e votave ka ndikuar që zgjedhjet të përsëriten jo vetëm në Skenderaj, Drenas dhe Deçan, por edhe në komunën e Mitrovicës.
Me një vendim të Gjykatës Supreme që është marrë të enjten në mbrëmje, është konfirmuar se ka pasur manipulime të votave dhe shkelje ligjore në 24 vendvotime nga 30 sa janë gjithsej në komunën e Mitrovicës.

Gjykata ka urdhëruar KQZ’në që t’i përsërisë zgjedhjet në krejt këto vendvotime, duke u bazuar në ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila kishte prezantuar fakte para PZAP’it për manipulime të zgjedhjeve në ditën e votimit.
Ky aktgjykim i Supremes anulon vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, derisa urdhëron KQZ’në që t`i përgatisë procedurat për përsëritjen e zgjedhjeve.

Fillimisht vendimi i PZAP’it kishte nxjerrë konstatimin se ka pasur shkelje, por nuk kishte vendosur për përsëritjen e zgjedhjeve, me arsyetimin se ato vota nuk ndikojnë në rezultatin përfundimtar. PZAP’i nuk e kishte bindur me asnjë fakt Gjykatën Supreme se përsëritja e zgjedhjeve nuk ndikon në rezultatin final të zgjedhjeve.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani ka thënë për Express se vendimi ka ardhur pikërisht për shkak se mospërsëritja e zgjedhjeve pas gjetjeve se ka pasur shkelje ligjore, ka ndikim direkt në rezultatin e përgjithshëm.

“Subjekti që e ka ngritur ankesën, ka specifikuar shkeljet. Këto shkelje i ka gjetur edhe PZAP’i, por ato shkelje, sipas tyre, nuk kanë ndikim ne rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve. Ne njëherë e kemi prishur vendimin e PZAP’it dhe i kemi sugjeruar që konstatimin se shkeljet nuk kanë ndikim në rezultat, ta paraqesë me prova bindëse. PZAP’i vetëm e ka përsëritur një vendim dhe ka thënë se shkeljet janë, por nuk kanë ndikim”, ka sqaruar Shefi i Gjykatës Supreme.

Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani ka konfirmuar se vendimi prek 24 vendvotime në regjionin e Mitrovicës.

Pas këtij vendimi të Gjykatës, KQZ’ja do të mbajë mbledhje të shtunën për të marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në krejt komunën e Mitrovicës, sikurse kishte vendosur edhe për tri komunat e tjera.

Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka ka konfirmuar për Express se vendimi i Gjykatës do të respektohet në përpikëri. Pastaj është zotuar se për hapat e mëtutjeshëm që do të vendosin në mbledhjen e ardhshme, kur edhe do ta shohin vendimin e Supremes.

“Ne ende nuk e kemi marrë vendimin, si ta marrim, atëherë e dimë çka me ba. Ne do ta zbatojmë atë vendim”, ka premtuar Daka, në një bisedë për Express.

“Çka do që ka në vendim, ne jemi të obliguar ta zbatojmë”, ka thënë ajo.
Sipas burimeve të Expressit brenda KQZ’së, votimet në komunën e Mitrovicës do të mbahen më 23 janar, dhe tek pas dy javësh do të bëhet certifikimi i rezultateve zgjedhore që i bie në mes të muajit shkurt.

Partitë politike e kanë mirëpritur vendimin për përsëritje të zgjedhjeve.
Nënkryetari i Partisë që ka dalë e para në Mitrovicë- PDK’së, Bajram Rexhepi ka thënë se vendimi i Gjykatës do të respektohet. Nuk ka dashur të japë vlerësime nëse është vendimi i drejtë, por ka thënë se PDK’ja respekton çdo vendim të organeve gjyqësore.

“Ne i respektojmë institucionet dhe vendimet e tyre. Nuk hyj në vlerësime, por Gjykata Supreme është niveli më i lartë që e ka dhënë vendimin dhe ne duhet m’e respektu”, ka deklaruar Nënkryetari i PDK’së për Express.

Anëtari i Kryesisë së AAK’së, Avni Arifi ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme po tregon saktësisht se çka ka ndodhur më 12 dhjetor, jo vetëm në Mitrovicë, por në krejt Kosovën.

“Kjo është një dëshmi se këto zgjedhje kanë qenë gjithçka përveç zgjedhjeve të lira demokratike dhe me standarde ndërkombëtare. Edhe Lukashenko në Bjellorusi i quan zgjedhjet e veta demokratike, por demokracia dhe proceset atje dhe kjo që ka ndodhur janë procese të kundërta nga demokracia dhe vota e qytetarit”, ka thënë Avni Arifi i AAK’së, për gazetën.

Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova ka thënë se vendimi i Gjykatës është i drejtë për faktin se ka pasur shumë parregullsi më 12 dhjetor të vitit të kaluar.
“Konsideroj se është vendim i drejtë, duke pasur parasysh gjithçka që ka ndodhur dhe parregullsitë që janë evidentuar”, ka thënë Nënkryetari i LDK’së.
Ndryshe, Partia FER ka lëshuar një deklaratë për media, ku përsërit se vendimi për Mitrovicën është dëshmi se zgjedhjet u dëmtuan në krejt Kosovën.

“Vazhdimi i votimeve të pjesshme e cenon Kushtetutën e Kosovës, ku kërkohet që vota të jetë e barabartë, e tash nuk ka votim të barabartë, kur Kosova është një njësi zgjedhore dhe procesi po stërzgjatet me qëllim”, thuhet në deklaratën e FER’it.

Zgjedhjet në Kosovë janë organizuar më 12 dhjetor, ku fillimisht ishin vlerësuar si demokratike. Më vonë është konstatuar se në ditën e votimit ka pasur vjedhje të votave dhe dëmtim të procesit zgjedhor. Si pasojë e kësaj, të dielën, qytetarët e Skenderajt, Drenasit, Deçanit si dhe dy vendvotimeve në Malishevë dhe Lipjan do të detyrohen përsëri të votojnë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›