E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari Mustafa premton kontejnerë nëntokësore

Me mbjelljen e fidanëve dhe zëvendësimin e kontejnerëve të tanishëm të mbeturinave me kontejner nëntokësor, Komuna e Prishtinës po pretendon që të përmirëson ambientin në kryeqytet.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka premtuar se në vjeshtën e këtij viti do të realizohen këto dy projekte.

“Vazhdohet me mbjellje të fidaneve të reja (edhe rreth tremijë në këtë vit), të cilësisë së lartë, pjesa me e madhe e tyre importe nga vendet e Bashkimit Evropian dhe do të zëvendësohen kontenjerët e tanishëm të mbeturinave me kontenjer nëntokësor. Fidanet do të vazhdojnë të mbillen në daljet e Prishtinës në drejtim të Mitrovicës, Podujevës dhe Malësisë së Gollakut, në rr. Ilir Konushevci e UÇK, në rrugën për Kolovicë dhe atë për Gërimi, do të regjenerohet gjelbrimi i lartë në Taukbashqe, në qendër të qytetit, në rrugën B dhe në të gjitha hapësirat ku ai aktualisht mungon”, ka informuar qytetarët, i pari i Prishtinës nëpërmjet facebook-ut.

Sipas tij, mbeturinat do të vendosen në kontenjerë nëntokësor, shumë higjienik dhe ambiental, me prioritet në rr. Agim Ramadani (pas Teatrit dhe Shtëpisë së sporteve) në rr. Luan Haradinaj, afër Gjykatës Kushtetuese, në rr. Regjep Luci, te banesat e Aeroportit në Sheshin Bill Klinton dhe në vazhdimësi në të gjitha pjesët e qendrës së Prishtinës.

“Prandaj, miq të nderuar, fëmijë, rini dhe të moshuar, në fund të vjeshtës së këtij viti, Prishtina jonë do të duket edhe më e bukur dhe më e pastërt dhe do të vazhdojë të jetë shembull sesi qeveriset në të mirë të qytetarëve. Ta gëzojmë bashkërisht”, ka shtuar Mustafa. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›