Thaçi: Qeveria nuk merret me çështjen e logos

Qeveria e Kosovës nuk diskuton për çështjen e logos në fletëvotimet e Kosovës. Kjo nuk është në mandatin e Qeverisë së Kosovës, që të diskutoj për këtë çështje në Bruksel.
Ky ka qenë qëndrimi i kryeministrit , Hashim Thaçi në mbledhjen e kabinetit qeveritar të mbajtur sot, duke hedhur hedh poshtë konstatimet e disa mediave, se Qeveria e Kosovës do të dialogojë në Bruksel edhe për logon.
“Qeveria e Kosovës dhe delegacioni i Kosovës nuk e komenton këtë se kjo nuk i takon, kjo çështje i takon Komisionit Qendror Zgjedhor dhe nuk i takon Qeverisë që të merr ndonjë vendim. Ne vetëm do të respektojmë vendimet e KQZ-së”, ka thënë kryeministri Thaçi.
Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur besimin se gjatë ditëve në vijim Qeveria e Kosovës dhe spektri politik do t’i kryej të gjitha obligimet, duke e theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të gjitha institucionet e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët pa dallim etnik.
“Janë zgjedhje që do të shënojnë një kapitull të ri për Kosovën, një kapitull definitivisht të suksesit, sepse do të organizohen zgjedhjet për herë të parë në gjithë territorin e Kosovës, ku do të marrin pjesë të gjitha komunitetet. Këtë përkushtim tonin do ta prezantojmë edhe në Nju Jork”, është shprehur kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij të hyrjes.
Thaçi njoftoi kabinetin qeveritar se pas Brukselit Delegacioni i Kosovës do të udhëtojë për në Nju Jork, ku në Mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, që do të zhvillohet të enjten do të prezantohet progresi i arritur i Kosovës në këta tre-katër muajt e fundit.
Qeveria e Kosovës, në vazhdim të mbledhjes, ka miratuar Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Strategjinë për Diasporën dhe Mërgatën, nëpërmjet të së cilës, me veprime konkrete, Qeveria e Republikës së Kosovës synon të sigurojë avancim të të drejtave politike e sociale për diasporën. Strategjia gjithashtu synon të ruaj identitetin kulturor dhe gjuhësorë, të shmangë asimilimin dhe ta ndihmojë integrimin e diasporës sonë në vendet ku jetojnë. Objektivi i strategjisë është edhe lehtësitë ligjore dhe administrative për ata që dëshirojnë ta ndihmojnë zhvillimin ekonomik të atdheut të tyre.
Një nga synimet e strategjisë është edhe organizimi sa më i mirë i diasporës, duke e ndihmuar në rrjetëzimin e organizimeve të ndryshme të diasporës kosovare nëpër botë.
Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për mbështetjen financiare të shënimit të Ditës së komunitetit Boshnjak në Kosovë.
Duke vlerësuar anagzhimin shtesë dhe zgjatjen e orarit të punës, për përgatitjen e suksesshme të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, për të gjithë zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për lejimin e mjeteve shtesë në kategoritë paga dhe mëditje për këto institucione, me qëllim të kompensimit të tyre.
Me vendimin e aprovuar nga Qeveria e Kosovës, Ismail Osdautaj dhe Ujup Krasniqi janë propozuar edhe për një mandat në Bordin Mbikëqyrës të Agjencisë Kosovare të Pronës.
Me kërkesën e ministres së Integrimeve Evropiane është miratuar nisma për fillimin e dialogimit e marrëveshjes me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për asistencën zhvillimore. /Indeksonline/