Nxënësit e fshatit Zhazh të Zveqanit me frikë do të fillojnë mësimin

Viti i ri shkollor po afrohet, por jo të gjithë nxënësit e kanë të lehtë të vijojnë mësimin. Për fëmijët e fshatit Zhazh në komunën e Zveçanit, në pjesën veriore të vendit, viti shkollor fillon me frikën se si do të shkojnë në shkollë, pasi ata duhet të kalojnë disa kilometra nëpër mal për të arritur në shkollë, dhe shpesh iu rrezikohet edhe jeta.
Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor.
Fëmijët e fshatit Zhazh të Komunës së Zveçanit në veri të vendit, vazhdojnë të kenë vështirësi të shumta për të vijuar mësimin. Ata thonë se duhet të kalojnë disa kilometra në këmbë për të arritur deri te shkolla “Isa Boletini” në fshatin Boletin. Rruga kalon nëpër një mal, gjë që në stinën e dimrit është e pakalueshme, e gjithashtu rrezikohen nga qentë dhe ujqërit.
“Unë për vete nuk e kam problem, deri në klasën e katërt, por ata që janë në parashkollorë nuk e kanë takuar ende dimrin e parë e tash çka do të bëjnë ata. A e din ku është shkolla “Isa Boletini”, deri atje lartë duhet të shkojmë. Dimrit herë shkojmë me kombi, herë mbetemi anej e nuk mundemi me dalë knej. Te na ka edhe ujqër”, thotë një nxënëse.
Ndërkaq zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor 2013-2014, i cili do të fillojë më 2 shtator. Këshilltari Ragip Gjoshi, thotë për Radio Kosovën, se janë intensifikuar punët rreth përgatitjes teknike të objekteve shkollore.
“Janë duke u bërë renovimet dhe pastrimet e objekteve shkollore dhe ndërtimi i tyre të reja, që është paraparë për këtë vit. Sipas informacioneve në shpresojmë që këtë vit shkollorë tetë shkolla të reja të përurohen dhe të tjerat do të jenë të gatshme në aspektin teknik dhe higjienik. Gjatë vitit shkollor pritet që edhe 20 objekte të reja të përfundojnë që janë në ndërtim e sipër.”
Këshilltari Gjoshi bëri të ditur se këtë vit të ri shkollor në dhjetë shkolla do të fillojë edhe pilotimi i Kornizës së Re të Kurrikulës. Ndërkohë, ka përfunduar regjistrimi i nxënësve në klasat e para, që këtë vit do të jenë rreth 29 mijë, si dhe janë regjistruar mbi 31 mijë nxënës në klasat e dhjeta. Edhe këtë vit Ministria e Arsimit do të shpërndajë tekstet shkollore falas. (RTK)