Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Viktor Tusha: Presidenti Topi kishte ftesë, refuzoi Lidhjen e Lezhës

Kryebashkiaku i Lezhës, Viktor Tusha hedh poshtë alibinë e Presidentit Bamir Topi, rreth mungesës së tij në ceremoninë e organizuar, në përkujtim të 568 vjetorit të Lidhjes së Lezhës. Duke mohuar deklaratën e presidencës, kryebashkiaku Tusha theksoi se protokolli është bërë nga bashkia e Lezhës dhe jo nga qeveria dhe në të ka qenë e përfshirë edhe fjala e presidentit Topi. Por, ai sqaron gjithashtu se, pasi ishin shpërndarë ftesat, edhe ajo drejtuar Presidentit, ky i fundit nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen. Çka rrëzon kështu pretendimin e Presidencës, se Bamir Topi kishte konfirmuar pjesëmarrjen, por më vonë i është komunikuar Protokollit të kreut të shtetit se Presidenti nuk do të mbante fjalën e rastit në këtë aktivitet dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që Kreu i Shtetit nuk ka marrë pjesë. “Presidenti i Republikës duhet të kishte kurajën që t’i bashkohet Lidhjes së Lezhës pasi 568 vjet me parë Skënderbeu bashkoi princat në luftë kundër pushtuesve osman”- u shpreh Tusha. Në mesditë presidenca justifikoi mospjesëmarrjen e kreut të shtetit Bamir Topi në ceremonitë e Lezhës, se edhe pse kishte ftesë presidentit i ishte mohuar e drejta e fjalës. “Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni”.
...