E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësimi, Meta: Vetëm LSI me program konkret

 

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka vazhduar prezantimin e Planit për Veprim në qarkun e Beratit. Fillimisht i shoqëruar edhe nga kandidatët për deputetë për këtë qark, Meta prezantoi planin qeverisës të LSI-së pas fitores në 28 Qershor, në komunën Kutalli. “Për mua është kënaqësi të jem sërish në komunën e Kutallisë. Në radhë të parë dua t’ju ftoj që më 28 qershor të votoni për LSI, si alternativa më e besueshme për të zhvilluar vendin dhe për të garantuar hapjen e 100 mijë vendeve të reja pune. Meta u shpreh se s’ka asnjë forcë tjetër politike deri tani, që të ketë paraqitur një program konkret”, tha Meta. Kreu i LSI-së i ftoi të pranishmit të votojnë për LSI-në “si forca politike me program më të qartë për të nxjerrë bujqësinë nga situata e vështirë dhe për ta futur në rrugën e zhvillimit, si forca më e qartë për sa i takon zgjidhjes së problemit të punësimit për gjithë Beratin dhe gjithë Shqipërinë”. “LSI u jep të gjithëve mundësinë për të punuar dhe për të jetuar me dinjitet. Këtë ua jep vetëm Plani për Veprim i LSI-së”, tha Meta. Kreu i LSI ka prezantuar Planin për Veprim edhe në lagjen “Vakëf” të qytetit të Beratit. Në fjalën e tij, Meta theksoi se në katër vite Berisha nuk mundi të përfundonte rrugën që lidh Beratin me Çorovodën, kanë mbetur 3 km për katër vjet, ndërsa në parlament Berisha premtoi që rruga do të përfundonte. Berisha premton 120 mijë vende pune, por s’ka sesi t’i hapë, kur ka mbyllur 20 mijë vende vetëm në muajt e fundit”, u shpreh Meta. Duke evidentuar disa nga pikat e programit të LSI, Ilir Meta nënvizoi se: ”Ne jemi të vendosur për të përgjysmuar TVSH për 12 produkte bazë ushqimore, me qëllim që të kontribuojmë për uljen e çmimit të ushqimeve dhe njëkohësisht për të ndihmuar sadopak familjet shqiptare, të cilat kanë sot probleme edhe me ushqimin e fëmijëve të tyre, duke pasur një kosto sa më të vogël të këtij komponenti jetik. Në këtë kuadër Ilir Meta theksoi gjithashtu se, LSI-ja është e bindur se duhet të krijohet një klimë tjetër për biznesin. Ai u shpreh i sigurt se me programin që paraqet dhe ekipin që garon, “Berati dhe Shqipëria do të votojë për kandidatët e LSI, do të votojë për LSI si alternativë, që sjell zhvillim dhe është më pranë njerëzve”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›