Ligjet për biznesin, PD refuzon t'i rishqyrtojë
TIRANË- Partia Demokratike nuk do të pranojë kërkesën e Partisë Socialiste për të kthyer edhe njëherë për shqyrtim në komisionet parlamentare, ligjin për procedurat tatimore dhe ligjin për falimentimin. Pas këmbënguljes së grupit parlamentar të PS-së dy ditë më parë në Kuvend, kryetarja e këtij grupi, Valentina Leskaj, ka deklaruar dje në një konferencë për shtyp se ligjet në fjalë duhen kthyer në komisionet parlamentare, me qëllim që ekspertët dhe biznesi të kenë mundësinë të kontribuojnë për to. Por kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Ed- mond Spaho, në një dalje për mediat, pas deklaratës së Valentina Leskajt ka ftuar opozitën që të japë propozimet e saj në Kuvend, kur projektligji të diskutohet nen për nen. "Na vjen habi nga ky qëndrim i znj.Leskaj, pasi ligji për falimentimin është votuar në komision në parim, nen për nen dhe në tërësi, duke marrë votat pro të gjithë deputetëve socialistë, kolegë deputetë të grupit ku znj.Leskaj është kryetare. Sidoqoftë, opozita ka të drejtë të japë sugjerimet e veta në seancë plenare, ku të diskutohet nen për nen", - tha dje Spaho. Por kryetarja e grupit parlamentar e PS-së, Valentina Leskaj deklaroi se, përmes kolegëve të saj në Komisionin e Ekonomisë, PS kishte kërkuar më shumë kohë për diskutim, ku të reflektoheshin edhe disa probleme që krijonte miratimi i ligjit të procedurave tatimore. "Ne kërkuam që biznesi të konsultohej për këtë ligj të rëndësishëm, kjo edhe për faktin që projekti i ardhur nga Qeveria, ka pësuar shumë ndryshime në Komisionin e Ekonomisë, ndryshime të cilat nuk janë diskutuar me palët e interesuara. Këto kërkesa, si tonat edhe të biznesit, janë shpërfillur"- tha ajo. N.P