E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i PBK: Lista e PD-së me çapaçulë, ish-komunista e sigurimsa

TIRANE - Adriatik Alimadhi, kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, aktualisht zëvendësministër i Transporteve, hedh kritika të forta mbi PD-në dhe kryeministrin Berisha, për mospërfshirjen e ballistëve në listat e demokratëve. Alimadhi thotë për "Gazeta Shqiptare" se kjo është një padrejtësi, pasi PD sipas tij i harroi ballistët dhe u afrua me komunistët.
Z.Alimadhi, cili është synimi i Ballit Kombëtar në zgjedhjet e 23 qershorit?
Si çdo parti politike, ashtu edhe PBK po përgatitet seriozisht më shumë se asnjëherë tjetër që të maksimalizojë votat dhe të ketë përfaqësim në parlamentin e ardhshëm pas 23 qershorit. Më duhet të them se kjo kërkon mobilizim edhe për faktin se PD nuk i dha Ballit Kombëtar atë që i takonte, ndaj gjej rastin t'u bëj thirrje atyre dhe të gjithë ballistëve në Shqipëri, kudo ku ndodhen që të bashkohen dhe të votojnë PBK.
Pse nuk u përfshitë në listën e PD-së si aleatët e tjerë?
Kjo është një padrejtësi që iu bë ballistëve dhe PBK-së dhe nuk duhej të ndodhte kështu, por edhe ne duhej të ishim pjesë e listës së PD-së dhe të trajtoheshim njësoj si të tjerët, pasi PBK-ja ka një kontribut të pamohueshëm në të djathtën shqiptare.
Kush ua bëri këtë padrejtësi?
Sigurisht që Partia Demokratike. Kryesia e partisë i kërkoi përgjigje zyrtare PD-së dhe kryeministrit Berisha që edhe ne të trajtoheshim të barabartë me aleatët e tjerë, pasi mendoj se askujt më parë se PBK nuk i takonte që të vendoseshin në listat e sigurta të PD-së si disa çapaçulë dhe të përjashtohej Balli Kombëtar. Jemi i vetmi subjekt politik që i dolëm komunizmit përpara dhe morëm plumbin prej tij, eshtrat e mijëra ballistëve ndodhen të shpërndarë në arat e këtij kombi, të cilët kërkuan një Shqipëri pa komunizëm, pa diktaturë, një Shqipëri të lirë, demokratike, etnike të bashkuar dhe të vëllazëruar, pra kush u sakrifikua dhe kush fiton, kjo është një e padrejtë që bëri PD ndaj PBK. Ky veprim do të ngelet dhe mbahet mend gjatë në historinë e kombit shqiptar si padrejtësi që PD i ka bërë Ballit Kombëtar. Ndaj ne i drejtuam PD-së një letër zyrtare kur e kërkonim përfshirjen e listën e saj njësoj si aleatët e tjerë.
…Dhe cila ishte përgjigja?
Më e keqja ishte se ne nuk morëm asnjë përgjigje.
Ishte kriter pesha elektorale e secilës parti?
Edhe nëse do të ishte kështu siç thoni ju, të jeni e sigurtë se ballistët kanë shumë më vlerë dhe peshë më të madhe sesa partitë e tjera apo individë që sot i shikoni përkrah me listat e PD-së. Jemi i vetmi subjekt politik i masakruar përherë nga vjedhja e votës. Gjatë të gjitha zgjedhjeve që janë zhvilluar në këto vite në Shqipëri në kurrizin tonë kanë përfituar parti të tjera pa asnjë investim politik, por kanë parë vetëm interesat personale të tyre dhe jo shërbim ndaj kombit. Rasti konkret është ai në vitin 2005, kur të gjitha votat e PBK-së ia dhanë PR-së, e cila me votat e vjedhura mori 11 mandate, ndërsa ne nuk na lanë të paktën 2.5%, që me votat e ballistëve të përfaqësoheshim në parlament. Ndaj të gjithë kanë përfituar nga ne, ndërkohë që ne si PBK nuk hyjmë dot as në listat e PD-së. Kjo është një padrejtësi.
Ky është paralajmërim se mund të ikni nga koalicioni?
Jo, nuk është paralajmërim dhe ne nuk kemi ndërmend të ikim nga koalicioni i djathtë. Nuk e kemi bërë as më parë dhe nuk do ta bëjmë asnjëherë, pasi kemi kontribut të pamohueshëm në të djathtën shqiptare që nga krijimi i partisë. Nuk ikëm as në vitin 2005, as në vitin 2007, as në vitin 2009, as kur na ftuan Nard Ndoka dhe Dashamir Shehi, ndërkohë që tani që të dy i shohim në listat e PD-së ndërsa ne jemi jashtë kësaj liste. Nuk ikëm as në 2011 dhe as tani në vitin 2013, pavarësisht kësaj padrejtësie nga PD-ja. Kjo nuk është aspak normale. Gjatë këtyre viteve Berisha bashkoi te PD-ja dhe ata njerëz që ju larguan, siç e keni parë, ai shkëputi fillimisht Ekrem Spahian nga LZHK-ja dhe pastaj afroi të gjithë të larguarit, dhe ne i kemi besuar 8 vite dhe 4 katër vite të tjera që do shkojnë. Janë 12 vite investim, besim, sinqeritet, bashkëpunim pa asnjë lloj interesi. Por ne nuk pajtohemi me këtë rast, duke marrë parasysh se në listën e PD-së shohim edhe Kastriot Islamin apo ndonjë tjetër që nuk kanë lidhje me të djathtën e bashkuar, siç u shpreh Z.Berisha. Ne na u bë padrejtësi edhe me përfaqësimin në qeveri vetëm me një zëvendësministër, i cili na u dha në 2009-ën, ndërkohë që legalistëve iu dha posti që në vitin 2005.
Si e keni pritur përfshirjen e Islamit dhe dy ish-deputetëve të tjerë të PS-së në listën e PD-së?
Për mua nuk është aspak normale. Por meqë kanë vendosur që të afrojnë pranë vetes Islamin, ish-komunist apo ish-sigurimsa të shtetit, kjo është përgjegjësi e PD-së. Një gjë e them me siguri, nuk ka më ballistë në Shqipëri të votojnë për Kastriot Islamin, kur Partia Demokratike nuk na do, atëherë ballistët për kë do të votojnë, prandaj edhe thirrja ime është shumë e ndershme: mblidhuni ballistë në shtëpinë tuaj dhe votoni partinë e të parëve tuaj, votoni për gjakun, eshtrat, vuajtjet, internimet, dëbimet, përbuzjen dhe përbaltjen e padrejtë nga kriminelët komunistë. Nëse bashkohen të gjithë ballistët në mbarë vendin, ata që janë tek PD-ja apo në parti të tjera, ju garantoj se do të jemi surpriza e zgjedhjeve të 23 qershorit.
Në PD ka shumë ish-komunistë dhe ish-sigurimsa?
Janë nga të gjitha anët. Ish-komunistët dhe ish-sigurismat kanë gjetur strehë tek partitë, pasi ju e dini shumë mirë që brenda në Shqipëri janë, se nuk ikën jashtë shtetit.
Një gjë e tillë e rrezikon fitoren e së djathtën më 23 qershor?
Unë nuk i besoj kësaj pyetje, ne do kontribuojmë me çdo kusht për fitoren e të djathtës shqiptare dhe do ta quaja mandatin e tretë si mandatin e vazhdimësisë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›