Basha Perpara ne sherbim te qytetareve te leme pas eren e konfliktit

Me një investim prej 16.5 milionë lekësh, Bashkia e Tiranës ka bërë të mundur ndërtimin e rrugës “Llambi Ziçishti”. Në këtë rrugë nuk ishte hedhur kurrë asfalt, edhe pse e populluar prej shume vitesh. Përgjatë kësaj rruge është ndërtuar sistemi i ujësjellësit, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza. Po kështu, përgjatë rrugës janë vendosur 14 shtylla ndriçimi dhe gjelbërim. Kryebashkiaku Basha është rikthyer në këtë rrugë me një premtim të mbajtur para banorëve të Tiranës, duke u mundësuar një standard të ri jetese, pavarësisht se ku jetojnë ata.
“Rruga “Llambi Ziçishti” ka përfunduar dhe sot jam këtu bashkë me banorët, për të inspektuar këtë standard të ri që u ofrohet nga Bashkia e Tiranës, që u ofrohet si një shenjë e përkushtimit dhe e punës për qytetarët, si i vetmi “refren” i Bashkisë së Tiranës, pavarësisht se ku jetojnë, pavarësisht bindjeve të tyre politike por të gjithë të bashkuar në bindjen tonë se qyteti mund dhe do të ecë përpara, vetëm duke lënë pas erën e konfliktit politik e duke iu përkushtuar tërësisht dhjetëra, qindra projekteve si këto. Me këtë rast, dua t’u them banorëve të Sharrës se përfundimi i kësaj rruge, le të shërbejë si një provë e qartë për vendosmërinë tonë, për të kthyer jo vetëm sytë por edhe standardin më të mirë të mundshëm të infrastrukturës anembanë kësaj lagjeje dhe për këtë i garantoj se ne po përfundojmë projektet për të gjithë këtë zonë! Sikundër keni dëgjuar, Bashkisë së Tiranës do i vihen në dispozicion fondet e nevojshme, për kthimin e këtyre projekteve në realitet, ndaj uroj që kjo frymë bashkëpunimi dhe besimi të ndërsjellë, të vazhdojë të prodhojë të mira për qytetarët e Sharrës, Kombinatit e gjithë Tiranës” – theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.