Kryetari i PD, Durrës, Igli Cara: Oketa nuk na dëmton, do jemi sërish forcë e parë
Kryetari i PD-së së Durrësit, Igli Cara, ka shfrytëzuar një dalje për mediat për të sulmuar z. Gazmend Oketa. Edhe pse konferenca ka qenë e fokusuar në lidhje me vonesën e miratimit të buxhetit nga Bashkia e Durrësit, Cara nuk ka lënë pa përmendur krijimin e partisë së re dhe ka vazhduar ritualin e javëve të fundit duke sulmuar Oketën dhe duke theksuar se PD-ja do të jetë sërish forcë e parë në zgjedhjet e ardhshme. Deklarata e Carës vjen pas një morie sulmesh të kohëve të fundit që ai i ka bërë deputetit Oketa, ndërsa ky i fundit ka zgjedhur heshtjen, gjë që e ka nervozuar Carën. Pas katër muajsh që Bashkia e Durrësit nuk ka buxhet të miratuar, kjo ka qenë arsyeja që Cara ka sulmuar dhe kryetarin e Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, si përgjegjës lidhur me mungesën e investimeve në Durrës, sidomos në infrastrukturë dhe turizëm. Ndërkohë që Cara i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve:
Z. Cara si Kryetar i Degës së PD-së Durrës, keni ndonjë qëndrim ne lidhje me largimin e deputetit të Partisë Demokratike z.Gazmend Oketa ?
Unë jam Kryetari i Partisë Demokratike Dega Durrës, e cila ka qenë forcë e parë politike në Durrësi, ju siguroj që edhe në zgjedhjet e ardhshme do të jetë forca e parë politike.
Partia Demokratike ka shumicën në këshillin bashkiak bashkë me aleatët e saj, ka vullnet politik për ta miratuar buxhetin ndërkohë që nga Bashkia vijnë gjithnjë reagime që buxheti nuk miratohet pasi nuk ekziston vullneti?
Kjo është një retorikë që e keni të dëgjuar prej 6 vitesh nga z.Dako dhe kam përshtypjen që nuk e beson më njeri në qytet. Kjo retorikë e tij është filluar prej vitit 2007-të kur u bë për herë të parë Kryetar Bashkie dhe unë dua tju kujtoj të gjithë ju që jeni dëshmitarë dhe që keni ndjekur punimet e Këshillit Bashkiak në këto vite. Në këto 6 vite z.Dako kurrë nuk i është kërkuar buxheti, duhet të kuptohemi që ka pasur debate, diskutime për transparencën e parave të qytetarëve të Durrësi, por kurrë nuk e kemi përdorur paketën e numrave që kemi në shumicë për të bllokuar paratë e qytetarëve. Mos harrojmë që këto muaj ka pasur kërkesa të vazhdueshme nga ana e këshilltarëve të djathtë për të paraqitur projekt-buxhetin. Në dijeninë time para pak ditësh ka pasur një kërkesë nga Prefekti i Qarkut të Durrësit bashkë me kryetarët e grupeve që i është bërë z.Dako për të paraqitur buxhetin, i cili nuk është paraqitur. Me lejoni tju kujtoj se ka vetëm një njeri i cili nuk ka vullnet që ti ofrojë shërbim qytetarëve të Durrësit dhe ai është z.Dako pse e them këtë pasi është një fakt mbi të cilin nuk ka diskutim pasi jeni dëshmitarë të gjithë. Ju kujtoj se pas betimit që ka zhvilluar z.Dako në muajin shtator janë zhvilluar shumë mbledhje të Këshillit Bashkiak dhe nuk e keni parë kurrë z.Dako që të jetë i pranishëm në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Fakt më të plotë se ky argument nuk besoj se do të gjeni, dhe kjo tregon se nuk ka vullnet.
Nga Artur Llana