Media perëndimore kryqëzon vëllain azer të Berishës, ne u stërvitim trupat komando

Nje protestues i opozites ne Azerbajxhan
Para dy ditësh, Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit deklaroi se në Shqipëri do të trajnohen komandot e trupave tokësore të këtij vendi. Një nder i vogël i Berishës për vëllain e tij azer, autokratin Ilham Alijev.
Si për ters, në këtë periudhë vëmendja e medias perëndimore është përqendruar pikërisht në Azerbajxhan, për shkak se aty do të zhvillohet festivali evropian i këngës. Por më mirë është të jesh larg syve të medias botërore. Çdo ditë mediat, sidomos ato gjermane, raportojnë për një regjim autokratik dhe për represion shtetëror, aq sa Azerbajxhani po e quan këtë një fushatë të orkestruar me qëllim fyerjen e tyre.
Spiegel Online për tu kundërvënë ndaj këtyre fjalëve ka botuar një raport sekret të Ministrisë së Brendshme gjermane, ku Alijev cilësohet si një boss i mafias si në filmin Kumbari. Por sipas Spiegel, janë amerikanët që po mbyllin një sy dhe ndoshta shkak për këtë është një marrëveshje armësh e shkurtit 2012 mes Izraelit dhe Azerbajxhanit me vlerë 1.6 miliard dollarë. Po ashtu mendohet se bazat ajrore të Azerbajxhanit mund të përdoren nga Izraeli për të sulmuar Iranin. Për këtë arsye po mbyllet një sy ndaj një regjimi represiv.
E vetmja mënyrë që kundërshtarët e regjimit të thonë diçka në sy të botës është më 26 maj, kur zhvillohet festivali evropian i këngës. Por masat e sigurisë janë shumë të rrepta.