Kryetari i PS, Rama: Kompromisi është gati, transparenca dhe kushtetutshmëria
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, shprehu gatishmërinë të pranojë menjëherë kompromisin, nëse qeveria garanton transparencë dhe kushtetutshmëri. Në një bashkëbisedim me gazetarët, kryesocialisti se kompromisi është gati, transparenca dhe kushtetutshmëria. “Transparencë në funksion të garantimit të zgjedhjeve të ardhshme dhe në asnjë mënyrë për të marrë pushtetin në tavolinë. Ne e kemi pranuar dhe jemi të gatshëm në çdo moment që ta zgjidhim përmes vullnetit dhe padyshim edhe përkushtimit tonë në funksion të transparencës këtë krizë”, u shpreh Rama. Kryesocialisti tha gjithashtu se grevistët po kapërcejnë çdo pengesë fizike, duke dëshmuar nevojën e patjetërsueshme për liri të zgjedhjeve. “Dua t’iu shpreh të gjithë atyre që ishin dje në protestë falënderimin për masën qytetare dhe emancipuese që i dhanë protestës, duke i zhbërë në hiç zërat e ngritur me qëllim për të dëmtuar dhe njollosur opozitën, si një burim i mundshëm dhune”, shprehu falënderimet, lideri i opozitës. Nga ana tjetër, ai tha se kryeministri po trajton me cinizëm grevën që po transmetohet në sytë e të gjitha medieve. Sipas tij, kjo grevë po ndiqet nga një grup mjekësh të nderuar e të respektuar. “Nëse qeveria do të bëjë inspektime, ajo le t’i bëjë, askush nuk e pengon. Por në këtë deklaratë të Berishës unë shoh diçka të neveritshme, që ka të bëjë me një dëshirë të fshehur që në atë çadër të ndodhë diçka e keqe, që të ndikojë tek protesta e opozitës”, reagoi Rama ndaj kërkesës së PD për të lejuar mjekët e specializuar të shtetit në tendën e grevistëve.