E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i komisionit të ligjeve, Rusmali: “Zgjedhja e nënkryetarit të shtyhet deri në zgjedhjen e Presidentit të ri”

17-04-2012 / Gazeta 55

Deklarimet e djeshme të politikës

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali u shpreh dje se Presidenti i Republikës ka shkelur Kushtetutën me propozimin e tij të një gjyqtari për postin e nënkryetarit të KLD-së. 

Sipas deputetit demokrat, propozimi i bërë nga Presidenti i Republikës ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Rusmali ka sqaruar se me propozimin e bërë nga Presidenti, ai ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën duke dashur të prishë balancat e institucionet, sepse Kushtetuta e thotë mjaft qartë sesi është i përbërë institucioni i KLD. 

“Kushtetuta e Shqipërisë është shumë e qartë dhe e prerë në trajtimin e kësaj çështje dhe Kushtetuta në nenin 147 thotë se KLD përbëhet nga Presidenti i Republikës, ministri i Drejtësisë, kryetari i Gjykatës së Lartë, tre anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve”, tha Rusmali. 

Rusmali ka sqaruar se ky nen kërkon që në mënyrë permanente trupa gjyqësore të jetë e përfaqësuar me shumicën e anëtarëve dhe me këtë propozim Presidenti, jo vetëm synon që të zvogëlojë në mënyrë antikushtetuese rolin që parlamenti ka brenda KLD, por përpiqet të zvogëlojë në mënyrë antikushtetuese rolin dhe përfaqësimin e gjyqësorit brenda KLD. 

Më tej, deputeti i PD-së ka theksuar se Presidenti nuk ka marrë parasysh edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkon që të mos prishet balancat në institucionin e KLD. Ai ka nënvizuar faktin se veprimi i Presidentit është dhunim flagrant i Kushtetutës dhe Presidenti duhet të kërkojë falje për dhunimin që i ka bërë Kushtetutës së vendit. Ndërkaq, opsioni i shtyrjes së zgjedhjes së nënkryetarit të KLD deri në zgjedhjen e presidentit të ri, për Rusmalin është e vetmja shpresë për ta shpëtuar këtë President. “Është e vetmja shpresë që t’i shpëtojë fytyrën Presidentit të Republikës”, tha ai. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›