Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi: “Topi s’ka lexuar Kushtetutën, s’pranoi as mediat në mbledhje”

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi e cilëson si antikushtetues propozimin e Presidentit Bamir Topit, për nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas Halimit, kandidatura e Ilir Mustafajit solli reagimin e anëtarëve të KLD, të cilët i shprehën Topit se s’mund të përzgjidhte një anëtar që vjen nga Konferenca Gjyqësore, pasi këtë e rrëzon vendimi i Gjykatës Kushtetuese të vitit 2006-ë.
“Neni 147 i Kushtetutës thotë se, në rast se presidenti zgjedh një anëtar nga gjyqtarët, atëherë ai duhet të japë dorëheqjen, sepse është gjyqtar me kohë të plotë. Pas dorëheqjes mund të jetë nënkryetar. Por nëse realizohet kjo, atëherë bie numri i përfaqësuesve të gjyqësorit në KLD, nga 9 bëhet 8, ndërsa Kushtetuta parashikon që të jenë 9. Në këtë debat kushtetues, na vjen në ndihmë edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2006. Pasi e analizoi ligjin e KLD-së, në 20 faqe të vendimit, kjo gjykatë përmend një paragraf që thotë, ‘Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet në shumicën e tij nga gjyqtarë, të cilët, duke ushtruar funksionet e tyre si të tillë, realizojnë lidhjen e këtij Këshilli me korpusin gjyqësor. Frymën e korporatës (vetëqeverisjes) në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kushtetutë-bërësi e ka futur me qëllim të caktuar për ta bërë gjykatën të pavarur nga ndërhyrjet e legjislativit dhe të ekzekutivit’, thuhet në vendimin e Kushtetueses. Pra, 9 anëtarët e zgjedhur, duhet të jenë gjyqtarë, nuk mundet që këta të shkëputen dhe të kryejnë një detyrë tjetër”, u shpreh Halimi.
Gjithashtu ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi iu referua edhe mbajtjes së takimit me dyer të mbyllura. Sipas tij, ishte Bamir Topi ai që urdhëroi të nxirreshin mediat jashtë mureve të sallës ku mbahej mbledhja e KLD. “Mbledhjet shoqërohen edhe nga misionet që asistojnë sistemin e drejtësisë. Unë pyeta njërin prej përfaqësuesve të misioneve të huaja dhe mora këtë përgjigje: p.sh në Itali, mbledhjet e KLD zhvillohen me dyer të hapura, në prani të medias. Pra, e drejta e qytetarëve për t’u informuar, prevalon. Presidenti kërkon në mënyrë permanente që ato që thuhen në KLD, të mos dalin jashtë saj. Presidenti s’duhet të ketë ndrojtje nga mënyra se si do sillen anëtarët e KLD. Është thjesht një shmangie ndaj publikut”, tha Halimi.
Ju kërkuat një mbledhje me dyer të hapura dje të KLD-së, pse?
Seancat e KLD-së duhet të zhvillohen si në të gjitha vendet e Bashkimit Europian, në transparencë të plotë. Unë i thashë edhe sot(dje), se në fillim të mandatit të tij dhe ish-nënkryetarit Kreshnik Spahiu, në vitin 2007, thanë se do të ketë një erë të re në marrëdhëniet e KLD-së me publikun, do të ketë transparencë. Nuk do t’i marrin vendimet skutave, por transparente. Gjë që nuk u bë. Për këtë pati debat në mbledhje, madje Presidenti nuk pranoi as ta hidhte në votim këtë propozim dhe vendosi që mbledhja të bëhej me dyer të mbyllura.
Ju kërkuat që procedura të shtyhet në kohë pas zgjedhjes së presidentit të ri, u komentua sikur ju donit të bëhej pas zgjedhjes së presidentit nga mazhoranca?
Presidenti ka vetëm 60 ditë që do të qëndrojë në këtë detyrë. Më 22-24 maj do të nisin procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri. Nënkryetari i KLD-së emërohet një njeri i besuar i presidentit që do të zëvendësojë atë kur të ketë mungesa. Në fund të mandatit, është logjike që nuk ka pse të emërohet një nënkryetar kur do të ikësh nga detyra. Nënkryetari i KLD-së është një njeri që propozohet nga presidenti me mbështetje të KLD-së... Debati që vijoi më pas, ishte nëse presidenti do ta zgjidhte nënkryetarin nga tërësia e gjyqtarëve apo ata që vinin nga Parlamenti. Në këtë moment u ngrit argumenti se presidenti nuk mund të propozojë një anëtar që vjen nga gjyqësori. Sepse ka një ndalim ligjor që është neni 147 i Kushtetutës. Në rast se presidenti zgjedh një anëtar nga gjyqtarët, atëherë ai duhet të japë dorëheqjen, sepse është gjyqtar me kohë të plotë. Pas dorëheqjes mund të jetë nënkryetar. Por nëse realizohet kjo, atëherë bie numri i përfaqësuesve të gjyqësorit në KLD, nga 9 bëhet 8, ndërsa Kushtetuta parashikon që të jenë 9. Në këtë debat kushtetues, na vjen në ndihmë edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2006. Pasi e analizoi ligjin e KLD-së, në 20 faqe të vendimit, kjo gjykatë përmend një paragraf që thotë: “Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet në shumicën e tij nga gjyqtarë, të cilët, duke ushtruar funksionet e tyre si të tillë, realizojnë lidhjen e këtij Këshilli me korpusin gjyqësor. Frymën e korporatës (vetëqeverisjes) në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, kushtetutë-bërësi e ka futur me qëllim të caktuar për ta bërë gjykatën të pavarur nga ndërhyrjet e legjislativit dhe të ekzekutivit”, thuhet në vendimin e Kushtetueses. Pra, 9 anëtarët e zgjedhur, duhet të jenë gjyqtarë, nuk mundet që këta të shkëputen dhe të kryejnë një detyrë tjetër...
Cili ishte argumenti mbrojtës i Presidentit?
U mbrojt, pasi tha se ligji ma lejon ta bëj një gjë të tillë. Kam përshtypje se nuk e kishte lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. I thashë ta lexojë, të mos i bëhej atentat Kushtetutës. Presidenti u kap në flagrancë në mbledhjen e KLD-së. Presidenti duhet të dalë t’u kërkojë falje shqiptarëve për këtë veprim antikushtetues që ka bërë.
Po nëse zgjidhet propozimi i Presidentit, Ilir Mustafaj?
Unë besoj se anëtarët e KLD-së, do ta kenë lexuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk do të bëjnë një atentat. Dhe anëtarët i thanë, zoti President po na vë në pozitë të vështirë. Kam besim te trupa e KLD-së, se do të dijë t’i thotë jo kandidatit antikushtetues.
...