E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i ri, Bashkia kyçet në fundjavë

Megjithëse dita e parë pasi Bashkia e Tiranës ka emrin e ri të kryetarit të saj, heshtja në këtë institucion duket se justifikohet me ditën zyrtare të pushimit. Ndërsa do të jetë Basha ai që do të drejtojë Bashkinë e Tiranës për 4 vitet e ardhshme, një ditë pas festës së organizuar para selisë së Partisë Demokratike, duket se ka rënë heshtja totale në institucionin ku për dy muaj ka qenë pjesë e dabatit më të ashpër të politikës. Jo vetëm punonjësit e kësaj Bashkie, nuk ishin në punë, por edhe vendin e rojës tek dera, duket se e kishte zënë kyçi i derës.

Kjo qetësi që fshihet pas ditës së pushimit, reflektohet edhe në punimet që po bëhen në “Sheshin Skënderbej”, ku syri nuk të zë punëtorët përveç ndonjë mjeti pune, që lëviz nëpër zonën që është në rikonstruksion. Situatë e qetë paraqitet edhe në dy selitë kryesore të partive politike. Para selisë së Partisë Demokratike, ku mbrëmë u organizua festa e fitores , nuk ka asnjë lëvizje, përvec punëtorëve që merren me pastrimin e ambjetit përreth, të mbylluara nga mbeturinat e fishekzjarreve.

Por jo vetëm kaq, në krah të selisë blu vijon të qëndrojë sërish slogani: “Ju jeni të parët, Tirana është e para”, që ndoqi gjithë fushatën elektorale të Lulzim Bashës. Ndërkaq në kampin tjetër, para selisë rozë, janë të paktë njerëzit që hyjnë e dalin, ndërsa gjithçka duket një heshtje që ska shumë nevojë për koment.

Siç duket, beteja e gjatë ligjore duket se ka sjellë një lodhje mes përfaqësuesve të partive politike dhe kanë shijuar ditën e pushimit në fundjavë, pavarësisht se kush ishte humbësi apo fituesi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›