E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetari i PS-së, Rama takon Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Fullani

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijon takimet me kryetarët e institucioneve kryesore të vendit. Pas takimeve me presidentin Nishani dhe kryeprokurorin Llalla, kreu i mazhorancës së re qeverisëse zhvilloi sot një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Takimi ka zgjatur më tepër se një orë dhe është zhvilluar në zyrat e Bankës Qendrore. Në qendër të bisedimeve mes kreut të PS-së dhe guvernatorit Fullani ka qenë situata e financave në vend. 

Në përfundim të takimit nuk pati asnjë deklaratë për mediat.

“TRANZICIONI I PUSHTETIT”, RAMA: TAKIME POZITIVE ME NISHANIN E LLALLËN
Pak ditë më parë kryeministri i mandatuar, Edi Rama, takoi Presidentin, Bujar Nishani dhe Kryeprokurorin Adriatik Llalla. Pas takimit, zyra e shtypit e kreut të shtetit sqaroi përmes një njoftimi se “Presidenti Nishani e uroi z. Rama për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, si edhe për suksese në zbatimin praktik të programit politik, në të mirë të qytetarëve të vendit e të ardhmes evropiane të Shqipërisë”. Sipas njoftimit Nishani e Rama shkëmbyen mendime për një tranzicion të butë të pushteteve dhe për një bashkëpunim të frytshëm institucional, në interes të forcimit të demokracisë e funksionimit të shtetit ligjor.

Ndërsa në “Twitter”, vetë Rama shkroi: “Me Presidentin e Republikës për tematikën e bashkëpunimit institucional e të tranzicionit të pushtetit pa probleme të reja. Takim pozitiv”.

Në përfundim të takimit me kryeprokurorin Llalla, Rama komentoi në “Twitter”: “me Prokurorin e Përgjithshëm për tematikën e bashkëpunimit institucional dhe influencën e krimit mbi vendin. Takim pozitiv”. 

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›