Kryetarja e Bordit të TI-së Labelle takon Berishën

Kryetarja e Bordit të Transparency International, Huguette Labelle, gjatë një takimi me kryeministrin Sali Berisha në Davos të Zvicrës, ka shprehur vlerësimet pozitive për sukseset e arritura nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit, si dhe ofroi mbështetjen e institucionit që drejton për vazhdimin me sukses të kësaj lufte. Kryeministri Berisha vuri theksin veçanërisht në reformat e ndërmarra për dixhitalizimin e shërbimeve për regjistrimin e biznesit, prokurimet publike, në tatime dhe dogana, si dhe reduktimin e lejeve dhe licencave. Berisha shprehu gatishmërinë dhe vendosmërinë e qeverisë për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm që ky fenomen të luftohet me efikasitet, duke qenë një prioritet i qeverisë shqiptare. Duke informuar mbi projektet e mëtejshme të qeverisë shqiptare në këtë drejtim, Kryeministri Berisha kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e këtij institucioni. Në këtë drejtim, kryeministri shqiptar mori garancinë se Transparency International, si institucioni më prestigjioz dhe i specializuar në procesin e vështirë të luftës kundër korrupsionit, do të studiojë dhe parashikojë rrugë e mjete të tjera për të shndërruar vullnetin e Kryeministrit dhe qeverisë shqiptare për tolerancë zero kundër korrupsionit, në një paketë reformash të mëtejshme në këtë drejtim.