E Diel, 1 Nëntor 2026

Koja: PS-91 aleancë me partitë e majta, jo me fantazmat dhe mercenarët politikë

>Sekretari i marrëdhënieve me publikun në PS-91, Gjergj Koja i pyetur midis të tjerash në një intervistës për gazetën Sot se ku do të drejtohen aleancat e PS-91 në zgjedhjet e 28 qershorit, Koja tha se aleancat do të bëhen do të bëhen me parti të spektrit të majtë, por këto aleanca nuk do te bëhen asnjëherë as me parti fantazma dhe as me mercenare politike që i kanë sjellë nga jashtë me disa miliona euro ne xhep për ti reklamuar në vitrinën e politikës shqiptare si kukullat e përrallës anti-korupsion apo të përrallës së lugës se floririt. I pyetur rreth gjykimit të tij për drejtimin e KQZ, për të cilin ka pasur dy propozime nga mazhoranca dhe opozita për disa bashkëkryetarë apo vetëm dy bashkëkryetarë, Koja u shpreh se problemi i KQZ nuk jane bashkëkryetarët, por ndryshimet shkatërruese në Kushtetutë në Prill te 2008. Përsa i përket depozitimit të kërkesës së Partisë Socialiste nga z.Fatmir Xhafaj në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e ligjit të Dosjeve të miratuar vetëm me votat e mazhorancës, Koja u shpreh se PS u kujtua vonë të kërkojë drejtësi politike për një çështje jo të vogël që debatohet prej shumë vitesh. Ai vijoi se  PS pasi u bë palë me PD për të ndryshuar Kushtetutën, pasi u bë palë me PD për te mbyllur Gërdecin, pasi prodhoi se bashku me PD Kodin Zgjedhor dhe pasi i shiti PD ligjin për Prokurorinë në këmbim të miratimit të Kodit Zgjedhor tanimë besueshmëria politike e PS ka rënë ndjeshëm.  Gjithashtu, i pyetur se përçarja e së majtës do ti hapë rrugë fitores së mazhorancës aktuale në zgjedhjet e 28 qershorit, ai u shpreh se përçarja e së majtës ka kohë që ka nisur. Sipas tij, burimi i saj i vërtetë dhe i vetëm janë politikat përjashtuese të lidershipit të PS. Në pushtet nuk mund të vihet dot me mercenarë politike të tipit G99, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me të majtën dhe që në aleancën e tyre me PS aktuale synojnë krijimin në të ardhmen të monopoleve akoma më të rrezikshme se këto të sotmet. Për fat të keq në funksion të propagandës për G99 dhe për lidhjet e tyre të rrezikshme me lidershipin e PS janë instaluar me qëllim të qartë segmente të caktuara mediatike,- u shpreh Koja.

-Ku do të drejtohen aleancat e PS-91 në zgjedhjet e 28 qershorit?
PS-91 po punon dhe po përgatitet për te aplikuar aleancat e nevojshme dhe të moralshme politike me ato parti të spektrit të majtë, të cilat ngjallin besimin në elektorat që kanë mundësi reale për rikthimin e së majtës në pushtet dhe që posedojnë kapacitete të besueshme për kryerjen e reformave të domosdoshme anti-krize pasi e majta të vijë në pushtet. Këto aleanca nuk do të bëhen asnjëherë as me parti fantazma dhe as me mercenare politike që i kanë sjellë nga jashtë me disa miliona euro ne xhep për ti reklamuar në vitrinën e politikës shqiptare si kukullat e përrallës anti-korupsion apo të përrallës së lugës së floririt. Pra PS-91 do të dijë të bashkëpunojë me forca politike dhe politikanë që kanë dhëne prova se dinë të ndërtojnë shtetin dhe jo ta shkatërrojnë atë. Nga ana tjetër në PS-91 militojnë një numër i konsiderueshëm socialistesh që kanë një përvoje të konsiderueshme dhe të suksesshme në politikëbërje dhe qeverisje në nivel qendror dhe vendor.

-PS-91 ka nisur përgatitjet për fushatën zgjedhore dhe si do të organizohet?
Gjithë kjo periudhe kohe nga fillimi i këtij viti është realisht një fushatë zgjedhore ku PS-91 nga njëra anë po vazhdon organizimin e saj në të gjitha rrethet e vendit dhe nga ana tjetër po punon për një program elektoral konkret që bazohet në problemet e njerëzve dhe që nuk ka për qellim tu tregojë shqiptarëve përralla. Ky program do të jetë i shkurtër, do të ndryshojë nga qarku në qark, sepse edhe problematikat midis qarqeve ndryshojnë dhe do të përmbajë objektiva jo vetëm të realizueshme nga qeverisja e ardhshme e majtë, por edhe që përbëjnë zgjidhje për disa shqetësime madhore shumë vjeçare të shqiptarëve. Në një moment të dytë pak më vonë do të kemi mundësinë të ndalemi edhe në programin elektoral të PS-91.

-Keni filluar të investoni financiarisht për të?
Është akoma shumë larg të diskutohet për çështje të financimit të fushatës. Në këtë fushatë PS-91 do të jetë e pasur me përvojë politike, me njerëz dhe me grinte debatuese.

-KQZ-ja, për të cilin ka pasur dy propozime nga mazhoranca dhe opozita për kryetarët, sipas jush kjo KQZ duhet të drejtohet vetëm nga 2 bashkëkryetarë apo nga disa bashkëkryetarë?
Problemi i KQZ-së nuk janë bashkëkryetarët, por ndryshimet shkatërruese në Kushtetutë në Prill të 2008. KQZ është vetëm një nga pikat e vështira të të gjithë procesit problematik të menaxhimit të zgjedhjeve, proces ky që u shndërrua në problematik nga një aleancë e pamoralshme PS-PD për hir të interesave të një grushti shumë të vogël njerëzish.

-Deputeti i PS Fatmir Xhafa depozitoi dje në Gjykatë Kushtetuese kërkesën prej 25 faqesh për ligjin e dosjeve të miratuar vetëm nga mazhoranca pasi ky ligj shkel 28 nenet e Kushtetutës së Republikë së Shqipërisë. Edhe sipas deklaratës së BE ky ligj është antikushtetues. Cili është gjykimi juaj?
PS u kujtua vonë të kërkojë drejtësi politike për një çështje jo të vogël që debatohet prej shumë vitesh. Pasi u bë palë me PD për të ndryshuar Kushtetutën, pasi u bë palë me PD për të mbyllur Gërdecin, pasi prodhoi së bashku me PD Kodin Zgjedhor dhe pasi i shiti PD-së ligjin për Prokurorinë në këmbim të miratimit të Kodit Zgjedhor tanimë besueshmëria politike e PS ka rënë ndjeshëm edhe për shumë të përfolurin ligj të lustracionit, për të cilin KE, BE dhe OSBE kanë shprehur në mënyrë të qartë dhe me shumë të drejtë shqetësimet dhe objeksionet e tyre konkrete mbi mundësinë e përdorjes në mënyrë abuzive të këtij ligji.

-Ju jeni për hapjen e dosjeve?
E kam thënë që në fillim se dosjet duhet të hapeshin prej kohësh. Kjo do ti shërbente shoqërisë shqiptare për ndarjen një herë e mirë nga e kaluara dhe do të shtonte realisht shancet për aplikimin e standarteve të mirfillta demokratike në funksionimin e kësaj shoqërie.  Por fatkeqësisht, ligji u hartua duke u bazuar mbi kompromise dhe mbi përjashtime. Kjo të lë një shije të hidhur për realizmin dhe për standartet e tij.

-Shkarkimi i ish-kreut të delegacionit në Këshillin e Europës, z. Aleksandër Biberaj, i cili erdhi në mënyrë të menjëhershme pa ndonjë arsye konkrete është një lojë politike apo thjesht një zëvendësim, gjykimi juaj?

Procedurialisht veprimi është i justifikueshëm. Ndërsa arsyet e vërteta politike duhet ti kërkoni në kryesinë e PD-së.

-Çmendoni për qeverisjen Berisha, kemi vërtet një rritje ekonomike prej 6-7%?
Është e vështirë të kalkulosh një gjuhë të përbashkët për rritjen ekonomike të Shqipërisë kur për të nuk bien dakord minimalisht Kryeministri, FMN dhe Ministri i Financave. Situata parashikohet edhe më shqetësuese këtë vit ku edhe ekonomisë shqiptare do ti duhet të përballojë krizën globale ekonomike.

-Sipas gjykimit tuaj, përçarja e së majtës do ti hapë rrugë fitores së mazhorancës aktuale në zgjedhjet e 28 qershorit?
Përçarja e së majtës ka kohë që ka nisur. Burimi i saj i vërtetë dhe i vetëm janë politikat përjashtuese të lidershipit te PS. Për sa kohë që ky lidership do të vazhdojë të pompojë parrullën përçarëse, politike e re politike e vjetër dhe për sa kohë lidershipi i PS do të vazhdojë ti kërkojë të falur shqiptarëve për gjoja politikën e keqe e të gabuar të socialistëve në 8 vjet qeverisje, e majta rrezikon seriozisht ardhjen në pushtet. Në pushtet nuk mund të vihet dot me mercenarë politikë të tipit G99 të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me të majtën dhe që në aleancën e tyre me PS aktuale synojnë krijimin në të ardhmen të monopoleve akoma më të rrezikshme se këto të sotmet. Për fat të keq në funksion të propagandës për G99 dhe për lidhjet e tyre të rrezikshme me lidershipin e PS janë instaluar me qëllim të qartë segmente të caktuara mediatike.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›