E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli mban fjalimin kryesor në konferencën e Mesdheut për rolin e gruas

Gratë parlamentare të vendeve anëtare të Unionit për Mesdheun u mblodhën në Kajro të Egjiptit, në një konferencë rajonale, për të kontribuar në arritjen e paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë.
Kjo konferencë, që ka për qëllim rritjen e rolit të gruas në vendimarrje, është një nga prioritetet e Unionit për Mesdheun, organizëm i cili bashkëkryesohet nga Presidenti i Francës, Nicolas Sarcosy dhe nga Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, që ndodhet për një vizitë zyrtare në Kajro, është e ftuara speciale e Zonjës së Parë të Egjiptit, Suzanne Mubarak, nën kujdesin e të cilës u zhvillua Konferenca Rajonale Gratë parlamentare si faktor aktiv për zhvillimin.
E vlerësuar për prioritetet e saj si Kryetare Parlamenti, lidhur me një sërë çështjesh të ndjeshme sociale, që janë njëkohësisht disa nga sfidat globale, si reduktimi i varfërisë, dhuna kunder grave, lufta kundër kancerit të gjirit, zonja Jozefina Topalli u përzgjodh për të ndarë përvojën dhe modelin e saj për ndërgjegjësimin e shoqerisë shqiptare, model që u cilësua nga zonja Mubarak si histori suksesi.
Në fjalën e saj, Zonja e Parë e Egjiptit, Suzanne Mubarak, theksoi konsolidimin e rolit të grave si shtyllë kryesore për të arritur paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.
Kjo arrihet, nëse kombinohet roli i gruas në dialogun politik dhe në vendimmarrje- tha zonja Mubarak, sipas të cilës gratë parlamentare mund të bëhen faktor dhe lokomotivë në promovimin e grave në shoqëri, duke u mbështetur jo vetëm në njohuritë apo kapacitetet e tyre, por edhe në potencialin real, që ato kanë në shoqëri.
Vetëm duke i bërë gratë të ndërgjegjshme për rolin e tyre, ne mund të shkojmë drejt zgjidhjes se problemeve, me të cilat përballet sot shoqëria- theksoi Zonja e Parë e Egjiptit. Takimin e Kajros me gratë parlamentare nga rajoni i Mesdheut, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, e vlerësoi si një shans për të koordinuar angazhimet dhe veprimet për ndryshim. Ajo njohu pjesëmarrëset me përpjekjet e Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit në demokraci për të ndryshuar mentalitetin e shoqërisë, për të ndryshuar dhe përmirësuar mënyrën e jetesës, për të rritur përfaqësimin e grave në forumet vendimarrëse. Treguesi më i mirë i këtyre arritjeve në Shqipëri është përgjysmimi i varfërisë, rritja e konsiderueshme e numrit të grave në Kuvendin e Shqipërisë dhe po aq e rëndësishme është thyerja e tabusë për të bërë temë të shoqërisë problemet me të cilat përballen gratë në jetën e përditshme. Ajo që spikati në fjalimin e Kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli ishte referenca historike te gratë e shquara shqiptare, atje ku çdo grua mund të gjejë modelin e saj frymëzues.
Nëse dikush do të shohë pas në historinë e vendit tim- tha zonja Jozefina Topalli, do të gjejë gra që kanë lënë gjurmë të thella. Dy mijë vjet më parë do të gjëjë Teutën, mbretëreshën e parë ilire, 5 shekuj më parë do të gjëjë legjendën e Rozafës, e cila u sakrifikua në themelet e një kështjelle për ta bërë atë të fortë dhe të paprekshme. Dhe, nëse dikush sheh sërish më vonë në historinë e Shqipërisë, do të gjejë një shekull më parë simbolin e Shote Galicës, e cila luftoi për liri deri në vetëmohim. Duke marrë si shembull krenarinë e kombit, Nënë Terezën, Zonja Jozefina Topalli tha se këto gra, pavarësisht, nëse janë mbretëresha, luftëtare të lirisë apo misionare, nuk janë vetëm simbole, por modele për tu ndjekur. Në fjalimin e saj, Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se nuk mund të ketë të ardhme të sigurtë për fëmijët, për familjet, për shoqëritë, nëse gratë, nuk ndërgjegjësohen dhe të marrin përsipër të luftojnë kundër varfërisë, dhunës, dsikriminimit gjinor; nëse gratë nuk ngrenë zërin për kujdes, arsimim dhe pagë të barabartë. Dhe, natyrisht, nëse nuk ngrenë zërin për respekt dhe dinjitet.
Fjala e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në konferencën Gratë parlamentare si faktorë aktivë të zhvillimit

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›