Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli takon Kryetarin e Parlamentit spanjoll Martinez, Kryetarin e Komisionit të jashtëm Lleida dhe zhvillon mengjes pune me ambasadorë të akredituar në Spanjë. Martinez: Shqipëria ka një perspektivë të shkëlqyer."
Më vjen mirë që Shqipëria i ka të gjitha shanset për tu anëtarësuar në NATO. Kam dëgjuar dhe lexuar shumë për historinë tuaj të vështirë, periudhën e tranzicionit dhe progresin e jashtëzakonshëm që po hap një perspektivë të shndritshme.
Kështu u shpreh Kryetari i Kongresit të Deputetëve (Parlamentit) të Spanjës, Joze Bono Martinez në takimin e përzemërt që i rezervoi Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli gjatë vizitës së saj zyrtare në Spanjë.
Si Kryetar i Kongresit të Deputetëve, tha zoti Martinez jam shumë i kënaqur që gjatë vizitës tuaj Komisioni i jashtëm votoi në unanimitet Protokollin e anëtarësimit të shqipërisë në NATO. Spanja ju mbështet në sfidat tuaja integruese.
Dy vendet tona kanë vuajtur në histori diktaturash të vështira, por edhe një periudhë tranzicioni të përshkuar me maturi.
Më vjen mirë, vijoi ai, që vendi juaj mbështet inisiativën e Barcelonës dhe është pjesë e Grupit të Miqve të Aleancës për Civilizim. Vlerësoj pjesëmarrjen e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare Euro-Mesdhetare dhe praninë tuaj në takimin e Jordanisë dhe do të keni mbështetjen tonë që së shpjeti të jeni anëtarë permanent të EMPA-s.
Kryetari i Kongresit të Deputetëve të Spanjës tha se : Jam i sigurt se vizita juaj është një faqe e re në marrëdhëniet mes dy vendeve dhe jam i bindur se do të pasohet nga të tjera vizita në nivel parlamentar dhe qeveritar.
Jam shumë e nderuar që jam sot këtu, tha Kryetarja e Kuvendit, në një vend mik që na ka mbështetur gjithmonë, ndër të parët që ratifikoi MSA-në Shqipëri BE dhe po përshpejton edhe ratifikimin e protokollit të NATO-s.
Pasi e njohu shkurtimisht zotin Martinez me zhvillimet në Shqipëri, zonja Topalli tha se do të ishte kënaqësi të priste në një vizitë të afërt zotin Martinez në Shqipëri.
Unë di që keni një vend shumë të bukur me një perspektivë të shndritshme, tha zoti Martinez. Do të ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme për mua të vij në Shqipëri brenda kësaj legjislature.
Pas takimit miqësor dhe të përzemërt, jashtë axhendës dhe protokollit, Kryetari Martinez, shoqëroi Kryetaren e Kuvendit dhe delegacionin parlamentar në një vizitë në mjediset e Kongresin e Deputetëve deri në daljen nga selia e Kongresit.
Gjatë ditës së dytë të vizitës me axhendë të ngjeshur në Spanjë, Kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kongresit të Deputetëve Josep Antoni Duran Lleida.
Përshpejtuam procedurën e ratifikimit të Protokollit të NATO-s, tha zoti Lleida për tju bërë një dhuratë gjatë vizitës tuaj në Spanjë. Do të keni gjithmonë përkrahjen tonë në nismat dhe politikat tuaja integruese dhe kjo vizitë juaja, e para e këtij niveli jam i sigurt që do të nxisë më tej bashkëpunimin.
Ratifikimi i protokollit të NATO-s, ishte dhurata më e bukur që mund të na bënit, tha Kryetarja e Kuvendit.
Biseda u ndal në gjetjen dhe shfrytëzimin e të gjitha mundësive për rritjen e prezencës së investimeve spanjolle në Shqipëri, e cila ofron një klimë shumë të favorshme për biznesin, falë reformave fiskale dhe lehtësimit të procedurave për investime.
Më pas Kryetarja e Kuvendit zhvilloi një takim shumë të rëndësishëm pune me ekspertë dhe analistë të mirënjohur në Institutin Mbretëror Elcano mbi sigurinë e përbashkët në Europë dhe situatën në Ballkan.
Në takimin ku morën pjesë ambasadorët e Gjermanisë, Finlandës, Hungarisë, Kroacisë Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës etj, të akredituar në Spanjë, Kryetarja e Kuvendit foli rreth situatës në Shqipëri, objektivave prioritarë: BE dhe NATO, reformat që kanë hapur një etapë të re në historinë e zhvillimit dhe progresit të vendit si dhe në situtën e paqes dhe stabilitetit në rajon pas pavarësië së Kosovës.
Ambasadorët treguan interes të veçantë për reformat e ndërmarra nga Shqipëria, për etapën në të cilën ndodhet sot vendi, I cili pas një diktature të egër ka një perspektivë të sigurt e të afërt Euro-Atlantike, ndërsa përcollën mbështetjen e vendeve të tyre në ndërtimin e historisë së zhvillimit e progresit të Shqipërisë dhe në aspiratat e saj integruese.
Kryetarja e Kuvendit mbylli vizitën e saj në Spanjë, e para e këtij niveli në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke marrë mesazhe të shkëlqyera për rritjen e bashkëpunimit dhe një mbështetje të plotë në sfidat integruese.