E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe diskuton buxhetin faktik të shtetit të vitit 2007.

  Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e enjte, më 16 tetor 2008, ora 10:00, nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli.
Fillimisht Kryetarja e Kuvendit priti sot në sallen e seancave nxënësit e shkollës 9 vjeçare 'Edith Durham". Në qendër të shpjegimeve të Kryetares së Kuvendit, ishin  procedurat e hartimit dhe miratimit të ligjeve, funksionimi i pushtetit legjislativ, marëdhëniet e këtij pushteti me tri pushtetet e tjera, zgjedhja e deputetëve dhe çështje të tjera.
Takimi me nxënësit ishte në vijim të seancave të hapura që Kuvendi I Shqipërisë zhvillon çdo të enjte me nxënësit e shkollave nëntëvjecare dhe ato të mesme.
Nxënësit u interesuan në mënyrë të veçantë për sfidat e drejtimit të   pushtetit legjislativ dhe problematika e raporteve mes politikaneve femra dhe meshkuj në Parlament. Mbështetja që Kryetarja e Kuvendit po I jep   pjesëmarrjes së gruas në politikë, etj. Më tej seanca procedoi me këtë rend dite:
1. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (deri 60).
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 13.10.2008.
3. Projektligji Për mbrojtjen e faunës së egër.
4. Projektligji Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit të vitit 2007.
  Në diskutimet jashtë rendit të ditës, deputetët trajtuan çështje të  ndryshme që lidhen me debatin politik dhe mediatik për çështjen Fllazic, projekti i parkut energjitik  në Porto Romano  dhe probleme të tjera të zonave të ndryshme elektorale.
Më tej seanca ka vijuar me disa orë diskutimet për buxhetin faktik të shtetit të vitit 2007.   Ministri i Financave Ridvan Bode sqaroi ndër të tjera se buxheti i shtetit për vitin 2007 konsolidoi në terma financiare një sërë politikash në fushën fiskale në rritjen e pagave dhe të pensioneve, në reduktimin e shpenzimeve administrative, në përmirësimin e raportit të shpenzimeve kapitale ndaj totalit të shpenzimeve publike etj.
Gjatë vitit 2007 stabiliteti makroekonomik është mbajtur i konsoliduar dhe reformat strukturore drejt një ekonomie më eficiente, janë thelluar më tej. Rritja ekonomike për vitin 2007 vlerësohet të jetë mbi 6% dhe është mbështetur kryesisht nga përmirësimet në rritje të prodhimit industrial, nga një performancë në rritje e biznesit privat në tërësi, si dhe nga rritja e eksporteve dhe ajo e investimeve të huaja direkte -tha ministri Bode.
Për opozitën buxheti i vitit 2007 dëshmoi demagogjinë e qeverisë në politikat e përgjysmimit të taksave dhe rritjes së investimeve të huaja në vend.
Ish ministri socialist i Financave deputeti Arben Malaj tha se buxheti vitit 2007 është ndryshuar disa herë brenda vitit,  buxheti suplementar i konsideruar sukses,  rezulton me shifra konkrete, një dështim". 
"Në vitin 2007  te ardhurat në buxhet ishin vetëm 25,7% e PBB, ndërsa në vitin  2006,  të ardhurat totale në buxhet, ishin vetëm 25,5 % e PBB, pra rritmet e rritjes së të ardhura janë nën nivelin e viteve të meparshme. - tha deputeti Malaj.
Seanca plenare vendosi që votimin për projektligjin Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit të vitit 2007 dhe projektligjin Për mbrojtjen e faunës së egër, ta zhvillojë në seancën e ditës së enjte ,datë 23 tetor 2008. Seanca mbylli punimet në orën 15.00.                                                  
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›