Kryetarja e Kuvendit, Topalli takon homologun e saj çek, Vlcek

“Viti 2010, viti i lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët shqiptarë”
Kryetarja e Kuvendit intensifikon lobimin përmes diplomacisë parlamentare për heqjen e vizave, duke e cilësuar vitin 2010, si viti i lëvizjes së lirë të shqiptarëve. Pas takimeve me 15 Kryetarë parlamentesh në 6 muajt e fundit, i ftuar i Kryetares së Kuvendit ishte Miloslav Vlcek, Kryetari i Parlamentit të çekisë, vendi ku Kryeministri Berisha dorëzoi kërkesën për statusin e vendit kandidat. “Në raportet me Shqipërinë, fokusi ynë tha Kryetari Vlcek, është anëtarësimi i Shqipërisë në një të ardhme të afërt në Europë. Ofrojmë ndihmën tonë në të gjitha nivelet, jo vetëm për heqjen e vizave, por edhe për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Europian”. Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit tha se për shqiptarët ishte shumë i rëndësishëm kontributi dhe mbështetja që pala çeke si Presidente e radhës së BE-së i dha Shqipërisë gjatë procesit të depozitimit të kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, më 28 prill 2009. “Vizita juaj, tha ajo, përkon me përmbylljen e përgjigjeve të pyetësorit të KE-së, në një kohë të shkurtër, dëshmi e angazhimit serioz të qeverisë shqiptare për marrjen e një opinioni pozitiv sa më shpejt nga Komisioni për statusin e vendit kandidat”, u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit vlerësoi vizitën dhe deklaratat e Komisionerit për Zgjerim Stefan Fule, përfaqësues i çekisë në BE, në mbështetje të proceseve integruese të Shqipërisë. Biseda u fokusua në plotësimin e detyrimeve që Shqipëria ka përmbushur për heqjen e vizave. Kryetari i parlamentit të çekisë, u shpreh se, “garantojmë mbështetje për heqjen e vizave për Shqipërinë, jo vetëm nga shteti çek, por edhe përmes influencës në katërshen e rajonit të Europës qendrore, i njohur si ‘Grupi i Vishegradit’, ku bëjnë pjesë edhe Polonia, Hungaria e Sllovakia, si edhe në vendet e tjera anëtare të BE-së”. Kryetarja e Kuvendit tha se angazhimi i parlamentit është maksimal. Kemi miratuar të gjitha ligjet, pjesë e detyrimeve për lëvizjen e lirë e po ashtu së bashku me kolegët nuk kemi reshtur së lobuari me vendet anëtare të BE-së, për të bërë të mundur marrjen e vendimit për heqjen e vizave. Biseda u ndal edhe në bashkëpunimin ekonomik. Përfaqësuesit e delegacionit thanë se ajo që panë nga afër në Shqipëri gjatë kësaj vizite tejkalon çdo pritshmëri ndaj dhe do të nxisin biznesmenët çekë për rritje të investimeve në Shqipëri.
...