E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët Evropianë “pro” liberalizimit të vizave, socialistët e Edvin Ramës “pro” bojkotit të procesit

Partia Socialiste Evropiane e mbledhur në Sarajevë, në takimin për Konferencën për Ballkanin të PSE-së, ka miratuar një deklaratë për aspiratat e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. PSE përshëndet mentalitetin pro-evropian të disa prej vendeve të rajonit, specifikisht partneritetin me Bashkimin Evropian dhe mbështesin rrugën e reformave të qeverive përkatëse si të Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë, por edhe të Serbisë ndërsa thekson se e kaluara e hidhur e rajonit, duhet të shërbejë si moment reflektimi për aderimin e mëtejshëm drejt strukturave evropiane. Socialistët evropianë deklarojnë se vizioni i Bashkimit Evropian është që të arrijë Zgjerimin në vitin 2014-të në përputhje me deklaratën zyrtare të samitit të Selanikut në vitin 2003, i cili përcakton vlerat e Unionit dhe vazhdimin e zgjerimit në kuadër të procesit të stabilizim-asociimit. “Me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, thuhet në deklaratën e PSE-së, ne duam që gjatë vitin 2010 të shënojmë një fillim të ri për Zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor. “Gjatë viteve të fundit, rajoni ka bërë një avancim të rëndësishëm drejt Bashkimit Evropian duke demonstruar kështu mendimin pro-evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. PSE mirëpret këto zhvillime premtuese dhe do udhëheqë përpjekjet për të siguruar Bashkimin Evropian se qytetarët e rajonit janë në kërkim të një imazhi të ri për Ballkanin dhe të lënë pas konotacionet e së kaluarës. Vizioni ynë është që BE të zgjerohet drejt rajonit në vitin 2014. Një vizion ky i përbashkët dhe i nevojshëm për të frymëzuar të gjithë aktorët që aktivisht punojnë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ky vizion është një Evropë e re dhe e zgjeruar në vitin 2014-të. Për këtë shkak, viti 2014 duhet të jetë një plan historik në momentin e pranimit në BE, të vendeve të Ballkanit, duke pasur parasysh se disa vende mund të jenë anëtare paraprakisht. Njëherazi kjo e bën atë një datë simbolike, duke shënuar njëqindvjeçar i shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. Kjo është një datë ambicioze, por plotësisht e mundshme dhe ka të bëjë me plotësimin e të gjitha kritereve të vendosura nga BE për anëtarësim. Plan konkret për këtë vizion evropian të Ballkanit Perëndimor, është deklarata samitit të Selanikut në 2003-shin, që përcakton vlerat e Unionit dhe vazhdimin e zgjerimit në kuadër të procesit të Stabilizim Asociimit”, thuhet në deklaratën e miratuar në Sarajevë, nga partitë Socialiste Evropiane. Duke përshëndetur mentalitetin pro-evropian dhe përpjekjet e rajonit në rrugën e integrimit, socialistët evropianë dhe social demokratët, besojnë fort se Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina do të bëhen pjesë e liberalizimit të vizave në korrik të 2010-ës. Ata vlerësojnë angazhimin e qeverive përkatëse në përmbushjen e reformave. “Pas bashkimit në regjimin e lirë të vizave në BE të vendeve si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, vendet e mbetura si Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina janë duke bërë një përparim të konsoliduar drejt përmbushjes së kushteve dhe realizimit të kritereve të Kopenhagenit. Shqipëria dhe Bosnje Hercegovina duhet t’i bashkohen regjimit të liberalizimit të vizave në korrik të 2010-ës. Liberalizimi i vizave mbetet një shtyllë thelbësore për në BE, inkurajuar kjo nga pro-evropianizimi i vendeve të Ballkanit”, deklarojnë më tej, PSE-të. Gjithashtu, deklarata e PSE vlerëson se reformat janë përmbushur, duke specifikuar atë në sistemin e drejtësisë dhe efiçencën e shtetit ligjor. Në përfundim, Partitë Socialiste Evropianë shtojnë duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në rajonin e Ballkanit mbetet jetik për të ardhmen e tyre evropiane, por gjithsesi pa harruar edhe ngjarjet tragjike që kanë shoqëruar Ballkanin pas viteve 90-të të cilat duhet të shërbejnë si moment reflektimi.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›