E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit, në fshatin Shirgj të komunës së Dajçit. Banorët: Shteti u çua në këmbë për të na ndihmuar.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte sot në fshatin Shirgj të komunës së Dajçit, një nga zonat më të dëmtuara nga përmbytjet.
 
Kryetarja e Kuvendit, bashkë me autoritetet e komunës, ishte sot në këtë zonë ku u bë shpërndarja e ndihmave me autokolonat e ushtrisë me ushqime e pajisje shtëpiake për banorët e shtëpive të përmbytura. Në këtë komunë u shpërndanë sot 70 tonë ushqime, ujë,  batanije si dhe ushqim për gjënë e gjallë.
 
Banorët i shprehën Kryetares së Kuvendit mirënjohjen për  angazhimin dhe përgjegjësinë maksimale të shtetit në ndihmë dhe në mbështeje të familjeve të tyre. Ata thanë se shteti si asnjëherë më parë u çua në këmbë për ta.
 
Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësi që situata po shkon drejt normalizimit duke siguruar se të gjitha strukturat e shtetit, ashtu si deri më tani, do të jenë çdo memoment pranë banorëve.

 
Ajo tha se tashmë po punojmë  në terma afatgjatë, në projekte të mëdha, jo vetëm të rehabilitimin e zonave që kanë nevojë emergjente, por dhe për projekte të mëdha zhvillimi për të gjithë  këtë zonë.
 
Kryetarja e Kuvendit theksoi se është fundi i moralit politik, që të përdorësh fatkeqësinë natyrore, është fundi i moralit politik të manipulosh me një fatkeqësi të tillë.
 

Më tej, Kryetarja e Kuvendit duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për seancën e nesërme në Kuvend për situatën në Shkodër tha:
 
Kjo senacë ishte ftesë e sinqertë në bazë të kërkesës së deputetëve të opozitës, për seancë të jashtëzakonshme për Shkodrën.
 
Ne do të bëjmë nesër një seancë të posaçme për situatën në Shkodër dhe për atë çfarë do të bëjmë në ditët dhe në muajt e ardhshme në termat e investimeve , në termat e rishikimit të projekteve sipas linjave dhe ministrive të caktuara, ku ministria e bujqësisë, ministria e transportit dhe ministri të tjera do të kenë një rol të jashtëzakonshëm në zbatimin e projekteve në të ardhmen. Kjo është detyra jonë dhe ky është premtimi i qeverisë dhe i deputëteve të Shkodrës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›