E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve dhe emergjencës civile në Qarkun e Shkodrës.

Kuvendi u mblodh ditën e hënë, më 18 janar 2010, ora 17:00, nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli në një seancë të jashtëzakonshme për situatën e përmbytjeve dhe emergjencës civile në Qarkun e Shkodrës.
 
Në fjalën e hapjes, Kryetarja e Kuvendit  theksoi se seanca e jashtëzakonshme u thirr në përgjigje të kërkesës publike së deputetëve të Partisë Socialiste, ndërkohë që Kuvendi do të niste punën në komisione, siç e parashikon Kushtetuta e Rregullorja.
E vlerësova si të drejtë e të përgjegjshme kërkesën e deputetëve të opozitës dhe me Kryetarët e Grupeve e plotësuam atë brenda 24 orëve. Edhe në këto momente, duke parë karriget bosh të deputetëve të opozitës, nuk guxoj të mendoj se ato kërkesën, e kishin vetëm një farsë, tha Kryetarja e Kuvendit në hapje të seancës.
 
Kryetarja e Kuvendit shprehu keqardhjen për mungesën e deputetëve të Partisë

Socialiste në këtë seancë për situatën e emergjencës në qarkun e Shkodrës dhe nënvizoi se si shqiptare më vjen keq, që kundër interesit të vendit e të tyre nuk gjetën kurajo për ti qëndruar fjalës e dëshirës së tyre, të thënë publikisht.
Si Kryetare e Kuvendi,- vijoi zonja Topalli, dua të garantoj të gjithë se jam e vendosur të plotësoj çdo kërkesë, të çdo deputeti, çdo herë në çdo kohë, për çdo çështje në përputhje me ligjet e vendit.
Duke vënë në dukje se në çdo vend, në kohë të emergjencës civile, kur një qark jeton fatkeqësi madhore natyrore, ashtu siç përjetoi Shkodra këto ditë, deputetët janë në zonën e fatkeqësisë dhe brenda Kuvendit, Kryetarja Topalli shprehu mirënjohjen ndaj deputetëve të pranishëm dhe nënvizoi se ju të gjithë,  e keni bërë këtë me humanizëm, me sens të madh përgjegjësie, me dhimbje e dashuri, me sinqeritet e sens detyre.
 
Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij para deputetëve, u shpreh se kjo seancë përbën një rast të veçantë për Qeverinë dhe deputetët, për të paraqitur qëndrimin në trajtimin e këtij moti të madh dhe pasojave të tij.
Kryeministri  tha se  java e parë e janarit u karakterizua nga fenomene natyrore të rralla, të rënda, të pazakonta ndërkohë që  pati rreshje të mëdha me përqëndrim maksimal në të gjithë veriun dhe verilindjen e Shqipërisë dhe nga ana tjetër një dalje të paparë dhe vërshim të detit në zonën e ulët bregdetare të qarqeve Kurbin e Shkodër dhe rritje të temperaturave.

Vetëm në kaskadën e Drinit u derdhën drejt qytetit dhe rrethinave 2,4 miliardë metër kub ujra, u shpreh zoti Berisha, duke nënvizuar se në këtë sasi kolosale nuk përfshihen ujrat e vërshuar nga Gjadri, Kiri, etj.
Pasi bëri një paraqitje të shkurtër të situatës ku niveli I liqeneve në kaskadën e Drinit rritej me orë, zoti Berisha nënvizoi se Qeveria, KESH, autoritetet vendore të Shkodrës: Prefektura, Bashkia, Qarku dhe komunat u gjendën në një shkallë angazhimi maksimal.

U bënë të gjitha përpjekjet që të fitohej kohë. U bënë të gjitha përpjekjet që kjo fatkeqësi natyrore të zhvillohej gradualisht në mënyrë që të sigurohej çdo jetë njerëzore e kërcënuar. I pari objektiv madhor u përcaktua shpëtimi I jetëve njerëzore, vuri në dukje Kryeministri.
Në vijim të fjalës së tij, zoti Berisha vlerësoi rolin pozitiv të mediave që gjatë kësaj periudhe kanë raportuar direkt nga zonat e përmbytura. Gjithashtu, Kryeministri vlerësoi opinionet e ekspertëve, të cilat I cilësoi të vyera për kapërcimin e situatës.
Kreu I Qeverisë nënvizoi se është bërë një pëpjekje e madhe që nëpërmjet menaxhimit të shmangeshin shembjet që rrymat e fuqishme mund të sillnin mbi digat dhe argjinaturat, si dhe dhënia e kohës së nevojshme për evakuim.
Komentet e herëpashershme se digat u mbajtën të mbushura për të shitur energji me çmiim të shtrenjtë, kryeministri  Berisha I konsideroi si shpifje dhe trillime.
Në përputhje me Rregulloren e Kaskadave, që po I afrohet 30-vjetorit të saj, sipërmarrja energjetike ka respektuar pikë për pikë këtë Rregullore, u shpreh zoti Berisha.
 Qeveria ka qenë e pranishme në situatën edhe natën e Vitit të Ri. Drini vuri përpara gjithçka. Mbi 7 mijë hektarë dhe qindra familje ishin të rrezikuara. Prefektura e Shkodërs ishte në angazhim të plotë për trajtimin efiçent të zonave të përmbytura.

Qeveria krijoi Komitetin Ndërministror të Emergjencës. Në zonat e përmbytura kanë vepruar 1700 punonjës të Forcave të Armatosura, Gardës së Republikës, Policisë së Shtetit, sistemit shëndetësor, bordeve të kullimit dhe qindra qeveritarë vendorë. Angazhimi total I strukturave qendrore dhe vendore bënë të mundur të mos kemi asnjë jetë njeriu të humbur, tha Kryeministri Berisha, i cili e cilësoi reagimin integral të shtetit si operacionin më të suksesshëm të shpëtimit, në historinë e vendit.
Solidariteti njerëzor I treguar si brenda dhe jashtë vendit, ishin një tjetër pikë në të cilën Kryeministri u ndal në fjalën e tij, duke nënvizuar ndihmën monetare dhe materiale të dhënë nga të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe diasporës, mbështetjen në njerëz dhe mjete logjistike të ardhur nga vendet fqinje, si dhe nga vende të Bashkimit Europian, si dhe ndihmën e ardhur nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore, etj.
Tre janë detyrat kryesore që, sipas Kryeministrit, shtrohen përpara Qeverisë pas situatës së përmbytjeje: sigurimi I ushqimit për gjënë e gjallë; përllogaritja e dëmit dhe projektet konkrete që do të ndërmerren sipas Kryeministrit, me qëllim që mrekullia ujore e Shkodrës të mos qëndrojë mbi të si Shpata e Demokleut , duke e kërcënuar herë pas herë atë.
Kryeministri garantoi se Qeveria disponon të gjitha fondet dhe mjetet për një zhdëmtim të plotë të të gjitha dëmeve dhe se do të ketë transparencë të plotë në llogaritjen dhe disbursimin e tyre.
Ndërsa theksoi se dëmet e përmbytjeve janë minimizuar mjaft falë ndërtimit dhe forcimit të digave dhe argjinaturave në 2-3 vitet e fundit, Kryeministri Berisha u shpreh se Qeveria do të vazhdojë të ndërtojë argjinatura dhe se Shkodra e NënShkodra do ti nënshtrohen një projekti të madh, të kushtueshëm, por të domosdoshëm. Nëpërmjet studimit të dinamizmit të ujit  do të projektohet ndërtimin e digave dhe argjinaturave dhe do të rikonceptohet sistemi I drenimit në të gjithë këtë territor. Projekt tjetër madhor është thellimi I Bunës. Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë atyre që me përkushtim të madh punuan ditë dhe natë, dhe që me bujarinë e madhe bënë çdo gjë për të lehtësuar pasojat, si dhe ndaj vendeve mike e institucioneve ndërkombëtare që iu gjendën pranë Shqipërisë në këto ditë të vështira.
Garantoj qytetarët se kjo përmbytje do të jetë një kapitull I ri projektesh me të cilat kjo Qeveri do të bëjë të mundur përballimin e e çdo lloj përmbytjeje me kostot më minimale, përfundoi zoti Berisha.
 
Më tej diskutimet vijuan me ekspoze shumë të hollësishme të informacioneve nga  ministrat e  Punëve të Brendshme, të Energjitikës, të Mbrojtjes, Bujqësisë Shëndetësisë dhe të Transportit e Puneve Publike për situatën në Shkodër gjatë kulmit të përmbytjeve dhe ndërhyrjeve emergjente e masat e jashtëzakonshme që u morën për tejkalimin e emergjencës.
Ndër të tjera Ministri I Energjitikës Deritan Prifti tha se opozita fsheh të vërtetën kur deklaron se nuk ekzistojnë të dhënat për nivelin e ujit në Fierzë në datën 27 Dhjetor 2009, duke manipuluar të vërtetën për opinionin publik.
 
Ministri I Mbrojtjes Arben Imami dhe i Punëve të Brendshme Lulzim Basha dhanë detaje të hollësishme për aksionin e shpëtimit, dhe evakuimit, më i madhi i ndërmarrë nga forcat e ushtrisë , policisë e rendit dhe të emergjencave civile, duke treguar plotësisht standarte dhe profesionalizëm të lartë të një vendi anëtar të NATO-s
 
Në diskutimet e tyre deputetët e mazhorancës vlerësuan në mënyrë të veçantë dhe shprehën mirënjohjen e thellë për kurajon,  solidaritetin dhe ndërgjegjen e lartë qytetare të banorëve të Shkodrës, dhe të zonave të përmbytura të këtij qarku.
 
Në fund të seancës deputetët miratuan një rezolutë për situatën e përmbytjeve në Shkodër. (

Për më tepër klikoni këtu)

 
Deputetët miratuan Programin dhe Kalenda

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›