E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit pret në takim misionaren e mirënjohur, Marianne Graf. Graf: Shqiptarët popull me indentitet e kulturë europiane, Shqipëria e sigurt drejt BE-së.

  Misionarja e njohur në mbarë botën, Marianne Graf, kandidate për çmimin Nobel për paqen, e cila punon prej 17 vitesh në Shqipëri ishte sot mike e veçantë në zyrën e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.   Zonja Graf, me një aktivitet të njohur dhe të jashtëzakonshmëm që në vitin 92, si Presidente e fondacionit Partnershaft, në Pukë, Rubik, Burrel Mat, Kukës e qytete të tjera të Shqipërisë, qytetare nderi në 11 komuna e bashki, në vitin 98 është nderuar me çmimin e dytë në botë për humanizëm, dhe Njeriu i vitit në Austri.   Në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Zonja Graf uroi për fitoren në zgjedhjet e 28 qershorit. E përkushtuar ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, nga të cilët ka mësuar edhe gjuhën shqipe, ajo përcolloi ndjeshmërinë e saj se shqiptarët janë një popull me identitet, histori dhe kulturë europiane dhe meritojnë sa më shpejt të jenë pjesë e Bashkimit Europian.   Kryetarja e Kuvendit tha se ndihet e nderuar që pret në zyrën e saj një humaniste model inspirues si zonja Graf,  duke e falënderuar atë për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetje të arsimit, shëndetësisë, ruajtjes dhe përçimit të vlerave historike dhe kulturore të Shqipërisë.   Vetëm në Mirëditë janë rreth 60 ndërtime si shkolla apo qendra shëndetësore të ndërtuara nga fondacioni i zonjës Graf. Projekti më i fundit është ai i rikonstruksionit të shtatë kullave mbi 100 vjeçare në Mat, banesa që zonja Graf tha se do të përpiqet ti përfshijë në objektet e mbrojtura nga UNESKO.   Me një përkushtim dhe kurajo të rrallë, zonja Graf ka kontribuar në Shqipëri në momentet më të vështira, ndërsa ka mundësuar ngritjen e kampeve për 13 mijë familje kosovare gjatë eksodit të vitit 1998.   Zonja Graf tha se do të vazhdojë çdo ditë të kontribuojë në zhvillimin e Shqipërisë, atdheut të saj të dytë, në ruajtjen e vlerave të ralla kulturore dhe  ti ofrojë opinionit publik në Austri dhe Europë, modelin e një Shqipërie europiane, e një Shqipërie që është transformuar dhe po ecën e sigurt në rrugën drejt BE-së.

 

   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›