E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetarja e Kuvendit e ftuar në drekën festive të komuniteteve fetare. Jozefina Topalli: Bashkëjetesa fetare në Shqipëri është mençuri, është urtësi, është vizion për të ardhmen e vendit dhe kombit.

 Bashkëjetesa fetare në Shqipëri është mençuri, është urtësi, por është edhe  vizion  për të ardhmen e vendit dhe kombit, tha sot Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli e ftuar në një drekë të veçantë mes krerëve të komuniteteve fetare në Shqipëri, organizuar nga Komiteti shtetëror për kultet.
 
Në këtë takim që përcolli mesazhet e harmonisë mes komuniteteve fetare morën pjesë kreu i komunitetit musliman,  Haxhi Selim Muça, kreu i Kishës katolike imzot Rrok Mirdita,  përfaqësuesi i Kishës ordodokse Andon Merdani, kreu i Kryegjyshatës bektashiane, Dede Reshat Bardhi si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
 
Në këtë drekë festive  me rastin e festave të fundvitit, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi këtë traditë të shkëlqyer dhe të rrallë që populli ynë e trashëgon prej shekujsh.

Ky ishte një vit i mbarë për të gjithë shqiptarët, tha Kryetarja e Kuvendit. Ishte një periudhë në të cilën Shqipëria mbylli një kapitull shumë shekullor të pasigurisë dhe hyri në periudhën e sigurisë. Vit që unë e konsideroj një nga vitet që, për nga ngjarjet që pati, do të hyjë në historinë e proceseve integruese të kombit tonë.
 

Por ishte dhe një vit që në raportet me komunitetet fetare ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm. Vit  në të cilin shteti ka nënshkruar marrëveshje me të gjitha komunitetit fetare, pas konsultimeve dhe marrjes parasysh të çdo sugjerimi të secilit prej komuniteteve. Vit në të cilin qeverisja demokratike ka miratuar ligjin për financimin e komuniteteve fetare, ligj i cili nuk ka ekzistuar më parë. Ishte një premtim i bërë dhe një fjalë e mbajtur, i kthyer në realitet  në këtë vit që po mbyllim.
 

Duke u ndalur veçanërisht në vlerën unike të komit tonë, harmoninë mes feve Kryetarja e Kuvendit tha:
 
Ajo për të cilën unë dua të falënderoj secilin rej jush është e para dhe mbi të gjitha  bashkëjetesa fetare. Ne jemi një shoqëri sekulare, shekullore dhe kjo është vlerë e jashtëzakonshme. Kjo do të thotë  se ne kemi qenë një popull mendjehapur prej vitesh e shekujsh dhe këtu kanë një kontribut të veçantë secili prej komuniteteve. Ne shqiptarët kemi vlera të jashtëzakonshme që mund të përjcellim te të tjerët. Kjo bashkëjetësë, ky bashkëpunim, ky mirëkuptim që ekziston midis nesh është modeli që  ne mund të përjellim përtej kufijve, edhe në vendet që janë më të zhvilluara edhe në vendet me një traditë më të zhvilluar demokratike. Kjo është vlera e vërtetë  e një kombi dhe ne jemi jashtëzakonisht krenarë. 

Kryetarja e Kuvendit tha se viti që vjen do të shënojë një ngjarje tjetër të madhe, do të jetë viti i lëvizjes së lirë, dhe nuk ka gjë më të rëndësishme për këtë komb i cili ndër shekuj ka qenë i izoluar.
 
Duke falënderuar gjithë krerët e komuniteteve fetare për punën, misionin dhe përkushtimin e tyre, ajo u uroi atyre shëndet, mbarësi e lumturi në jetë.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›